Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” ka reaguar për deklaratat ndaj ndërkombëtarëve, duke u shprehur se nga deklaratat e tyre, duket sikur ka ndonjë konspiracion për palë me qeverinë. Reagimi i tij vjen pas asaj që u shpreh kreu i shtetit në konferencën për mediat, ku foli për diplomatë dhe ndërkombëtarë të korruptuar.
“Unë mendoj se politikanët kanë tejkaluar disi fjalorin, duke thënë se ndërkombëtarët janë kështu e ashtu. A janë këta të huajt palë me qeverinë? Unë këtë s’e kuptoj, s’e lexoj dot, sikur kemi ndonjë konspiracion. E dini shumë mirë se ambasadorët vetëm njërën palë kanë thirrur dhe i kanë thënë se ti kur ke qenë ministër ke bërë këtë e atë”, tha Minxhozi.
Ndërkohë, Gazetari Arion Sulo tha se palët nuk ulen në tryezë, për shkak se një person ka kapur reformën në drejtësi. Sipas Sulos, edhe anëtarët e zgjedhur për në Kushtetuese janë vetë hartuese të reformës në drejtësi, prandaj këtu ka dyshime të forta për anësi të procesit. “Zonjat e zgjedhura janë të respektueshme, por këto zonja kanë qenë të përfshira në hartimin e reformës në drejtësi. Të bësh ligj e të bëhesh vetë subjekt i ligjit kjo është absurde. Ky është dyshim i arsyeshëm për anësi”, tha Sulo.