U-21, Anglia jep leksion në Shkodër, Kosova dërrmohet në Austri

SPORT


Një mbrëmje shumë e keqe për ekipet kombëtare të U-21 me Shqipërinë që humbet 0-3 në shtëpi ndaj Anglisë dhe Kosovën që mposhtet me rezultatin 4-0 në Austri.

Djemtë e Alban Bushit nuk e përballuan vrullin e anglezëve që kaluan shumë shpejt në avantazh me anë të talentit të City-t, Philp Foden. Mesfushori realizoi një gol fantastik nga goditja e dënimit duke lënë në vend portierin dhe mbrojtësit kuqezi për 0-1.

Vrulli i anglezëve nuk u ndal aty, pasi ata mund të shënonin për 0-2 me penallti, por Breëster e humbi. Goli i dytë nuk vonoi me “3 Luanët” që shënuan me Gallagher golin e dytë në fundin e pjesës së parë. Pjesa e dytë nuk ndryshoi asgjë, miqtë kontrolluan topin dhe mbyllën ndeshjen me rezultatin 0-3. Goli i fundit u shënua nga Nelson në minutën e fundit të shtesës. Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, pas humbjes së pastër 0-3 ndaj Anglisë për 21-vjeçarë, u shpreh se përtej mungesave dhe lojtarëve me moshë të vogël që kishte në dispozicion, ekipi i tij bëri më të mirën në fushë, dhe nuk kishte ç’të jepte më shumë ndaj Anglisë. “Nëse lë një hapësirë me këto ekipe, ai të shënon. Në pjesën e parë, ata pothuajse nuk patën asnjë rast për gol pothuajse. Golin e parë e shënuan me një goditje standarde, për të cilat i kisha lajmëruar lojtarët, sepse për një faull ai lojtari i Sitit e ka një gol. Edhe goli i dytë, erdhi nga rreth 25 metra jashtë zonës, që i kishim marrë masat të rrinim në atë zonë. Ndonjëherë edhe fati nuk është me ty. Anglia ishte superiore gjithë kohës, nuk diskutohet. Duhet t’i dimë mundësitë tona. Dhanë maksimumin, nuk kishin çfarë të bënin më shumë. Por, kjo më bën optimist sepse ky grup ka çfarë të japë. Ekipet e nivelit tonë nuk do i kemi problem t’i rrahim”, deklaroi Bushi.

Kosova është dorëzuar pa frena kundër Austrisë me rezultatin 4-0. Përfaqësuesja nuk ka bindur aspak me paraqitjen e saj duke u dominuar nga vendasit. Smakiqi u detyrua të nxirrte 4 herë topin nga rrjeta.



Skip to toolbar