Schütz: Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun


Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schütz i bëri thirrje opozitës që të ndalë protestat e dhunshme dhe të nisë rrugën e dialogut. Në një deklaratë për mediat Schütz  tha se shfaqja e dhunës në protestat e deritanishme të opozitës është e papranueshme. Ashtu si selitë e tjera diplomatike edhe ambasada gjermane ka dënuar sulmin ndaj ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt.

Protestuesit opozitarë shkruan në banesën e tij “Shame on you”, turp të kesh. Ky gjest është dënuar ashpër nga të gjitha ambasadat e huaja në Tiranë.


“Demonstratat paqësore janë një e drejtë themelore e rëndësishme në demokraci. Shfaqje të dhunës, sikurse ishin ato që pamë në datën 11.05., janë tërësisht të papranueshme dhe të papajtueshme me këtë parim. Për këtë arsye ne dënojmë maksimalisht dhunën e çdo lloji. Veçanërisht na shqetëson fakti, që drejtuesi i Prezencës së OSBE në Shqipëri është kërcënuar. Ndaj u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës Basha dhe Kryemadhi të dënojnë të gjitha format e dhunës ndaj njerëzve dhe institucioneve dhe t’i parandalojnë ato në mënyrë efektive. Si organizatorë ata mbajnë përgjegjësi për zhvillimin paqësor të demonstratave. Në të njëjtën kohë apelojmë forcat shqiptare të sigurisë të ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë konsekuente, me maturi dhe në proporcion me situatën.

Protestat në rrugë nuk zëvendësojnë dialogun e domosdoshëm politik! Ndaj u bëjmë thirrje të gjitha palëve, që në funksion të përafrimit të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Evropian kundërshtitë në qëndrime t‘i zgjidhin në kuadër të një dialogu politik konstruktiv”, thuhet në reagimin e ambasadës.




Skip to toolbar