“Kurbani” i Gjykatës Kushtetuese, Kulluri: Do e tregojë koha

POLITIKË


Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri tha se Presidenti ka mbetur i vetëm dhe i dobët në ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese, pasi nuk ka më as mbështetjen e opozitës, e cila ka mbetur pa asnjë instrument ligjor për të kontrolluar qeverinë.

Kulluri akuzoi për krizën e Gjykatës Kushtetuese jo vetëm mazhorancën por edhe opozitën, si fajtore që e la atë të qeveriste e vetme dhe nuk u bë pjesë balancuese e politikës dhe të ushtronte kontrollin ndaj qeverisë. Kulluri shkruan se me djegien e mandateve, opozita largoi çdo kontroll parlamentar mbi ekzekutivin dhe gjyqësorin duke lënë të gjithë mekanizmin e ndërtimit të organeve gjyqësore dhe Gjykatës Kushtetuese në dorë të mazhorancës. Për këtë Kulluri thotë se ka 3 zgjidhje, që do të sjell një “kurban” në emër të drejtësisë dhe krijimit të Gjykatës Kushtetuese.

“E vërteta e krizës kushtetuese dhe institucionale më të rëndë në 29 vite demokraci nuk qëndron vetëm te vrulli i Ramës për të kontrolluar 3 pushtetet, pra legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin! Pushteti për nga natyra synon të zgjerohet. Prandaj në perëndim lindi nevoja dhe domosdoshmëria për ta kufizuar atë. Pushteti nuk vetëpërmbahet gjithnjë. Vetëm nëse ata që e kanë vetëpërmbahen. Dhe Rama nuk është i tillë! Çështja është se cilat mekanizma e kufizojnë pushtetin ekzekutiv, pra qeverinë që ka monopolin e dhunës legjitime. Dhe ato janë kontrolli parlamentar, gjyqësori dhe disa institucione që dalin prej parlamentit si Gjykata Kushtetuese, Presidenti, Kontrolli i Larte i Shtetit (audituesi i pavarur nga ekzekutivi) etj.. Që prej 2017 kur dhe ka nisur kriza, Rama drejton i vetëm mazhorancën për shkak të fitores së zgjedhjeve me 74 deputetë.

Dhe për këtë përgjegjësinë e kishte opozita e cila mori një rezultat më të dobët se zgjedhjet e mëparshme, gjë që e ka pranuar vetë kryetari i PD! Dhe “përgjegjësinë” e mbajti duke bërë të kundërtën. Dogji mandatet duke e lenë parlamentin pa opozite fare, ç’ka e ka lënë sovranitetin popullor në dorë të qeverisë. Tashmë kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin ka rënë plotësisht. Niveli i dyte i kontrollit, ai i gjyqësorit është pothuaj në të njëjtën gjendje. Opozita tërhoqi kandidaturat e saj në Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë(KED), Këshillin e Lartë të Prokurorisë(KLP) dhe Këshillin e Lartë të Gjyqësorit(KLGJ) duke e lënë të gjithë mekanizmin e ndërtimit të organeve gjyqësore dhe Gjykatës Kushtetuese në dorë të përfaqësuesve të mazhorancës(në fakt të qeverisë)!

I vetmi pushtet që është i dobët gjithsesi, që nuk kontrollohet nga qeveria është Presidenti! Por Presidenti është i vetëm pasi te opozita nuk ushtroi në asnjë moment detyrimin demokratik për të ushtruar kontrollin ndaj qeverisë! I vetmi institucion që ende nuk është nën qeverinë janë KLSH për raportet e të cilit qeveria nuk pyet për sa kohë gjyqësori është jo funksionale dhe Avokati i Popullit që ka fuqi rekomanduese por jo ndaluese ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut. Kjo situatë ka 3 zgjidhje: Presidenti shkarkohet dhe Rama rikthen procedurat e emërimeve në GJK nën kontrollin e plotë të mazhorancës; Presidenti nuk shkarkohet dhe rinis procedura e emërimeve nën rendin e balancës me 3 anëtarë të miratuar nga Parlamenti, Presidenti dhe Gjykata e Lartë; opozita del në krah të Presidentit dhe i drejtohet qytetarëve dhe shesheve, pasi nuk ka asnjë instrument institucional! Kush do jetë “kurbani” ose “humbësi” do të tregojë koha!” shkruan Kulluri



Skip to toolbar