Kallëzimi për Dvoranin, te Prokuroria e Tiranës

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta kallëzoi penalisht kreun e KED-së, Ardian Dvorani për dy vepra penale dhe padinë e depozitoi në 3 prokurori të ndryshme. Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku e ka shqyrtuar padinë e Presidentit Meta dhe ia ka kaluar Prokurorisë së Tiranës për të vendosur nëse do të nisë apo jo hetimet.

Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka 18 ditë afat për të shqyrtuar padinë e Presidentit, për të parë nëse është kompetente për regjistrimin e fillimit të hetimeve.


Pak ditë më herët presidenti Meta e akuzoi kreun e KED-së, për dy vepra penale: “shpërdorim i detyrës” dhe “përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Konflikti Presidencë-KED nisi kur kreu i KED-së emëroi Arta Vorpsin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese duke njoftuar se presidentit i përfundoi afati 30 ditor për ushtrimin e të drejtës së tij për të zgjedhur një nga kandidatët në listë.

Sipas Metës, KED nuk ka marrë asnjë vendim kolegjial për dërgimin e listave për plotësimin e vakancave njëherazi, por ky veprim është kryer personalisht nga kryetari Dvorani.

Meta theksoi se, sipas Kushtetutës, dy vakancat në Gjykatë nuk mund të plotësoheshin njëherazi, por duhej respektuar radha midis Presidencës, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë.

Meta akuzoi Dvoranin se ka tentuar të krijojë një gjendje antikushtetuetshmërie duke e vendosur atë përpara faktit të kryer dhe duke i imponuar një “rregull të ri”, me qëllim shkeljen e Kushtetutës.

Ndërsa kreu i KED-së nga ana e tij deklaroi se ka zbatuar vetëm Kushtetutën në emërimin e Vorpsit një Gjykatën Kushtetuese duke thënë se presidenti e lexon gabim Kushtetutën.

Lidhur me kallëzimin penal të presidentit, kreu i KED thotë se të gjitha pretendimet e Metës janë të pavërteta dhe se KED ka zbatuar dispozitat kushtetuese lidhur me listimin dhe respektimin e afatit 30 ditor për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese. Dvorani shpjegon se Meta i bën interpretim të gabuar të Kushtetutës lidhur me vakancat dhe afatet për anëtarët e Kushteteuses.

Presidenca për t’u siguruar se kallëzimi penal do të regjistrohet e dërgoi atë në 3 prokurori të ndryshme, në  Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Por duket se qëllimi kryesor i presidentit me këtë padi ka qenë futja në ngërç e KED-së. Kjo për faktin  se nëse prokuroria vendos të ndjekë penalisht Dvoranian, atëherë ai automatikisht përjashtohet nga rikandidimi për në KED, duke e futur në kolaps këtë institucion. Ligji përcakton se një person që është në ndjekje penale nga organi i akuzës nuk mund të kandidojë për të qenë pjesë e KED-së. Shorti për përzgjedhjen e anëtarëve të KED do të hidhet në Dhjetor, ndërsa funksionimin ky institucion do ta nisë në fillim të vitit 2020 me një mandat 1- vjeçar.




Skip to toolbar