Lulzim Basha mbajti të dielën në mbrëmje një konferencë me gazetarët, ku foli për takimet që zhvilloi me drejtues të Partive Popullore Europiane. Basha u shpreh se fokus i takimeve të tij ishte hapja e negociatave. “Mesazhet që sjell nga këto dy takime janë mesazhe shprese për Shqipërinë. Fokusi i të dy takimeve ka qenë tek mbështetja totale e Shqipërisë në Europë, çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në BE. U shpreh mirënjohje për këtë qëndrim të palëkundur”, tha Basha.
Sipas tij, veç kushteve të vendosura më herët nga Bundestagu, PPE kërkon nga Shqipëria edhe përmbushjen e një kushti të ri, zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe ngritjes së SPAK e BKH. “Partia Popullore Europiane kërkon zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, dhe nxit ngritjen e SPAK dhe BKH”, tha Basha. Sipas tij, situata në vend është shumë e vështirë, ndërsa shtoi se “thembra e Akilit” për të dalë nga kriza është ekonomia. Sipas Bashës, shumë investitorë gjermanë duan të investojnë në Shqipëri.
Basha tha se vendi ynë duhet të arrijë Serbinë në nivel ekonomik. “Vendi zhytet çdo ditë në krizë jo vetëm politike por dhe ekonomike. Shqipëria të kap ritmet e Serbisë për ekonominë”, tha Basha. Më tej, kryedemokrati konfirmoi se Partia Demokrtike është në mbështetje të Presidentit për referendumin, madje sipas Bashës, referendumi është një nga pikat e planit të PD. “Patjetër që mbështesim referendumi, është një nga 5 pikat e PD-së. Unë jam angazhuar tash dy vjet e gjysmë, një mekanizëm i demokracisë direkte”, tha numri një i Selisë Blu.
Ndërkohë, ashtu si Meta, Basha u shpreh se Rama do të përballet me popullin. “Tentativat për të kapur Gjykatën Kushtetuese apo përmendja e nismave skandaloze për ndryshime kushtetuese për t’i dhënë një partie, që po rri paligjshmërisht në pushtet me ndihmën e bandave kriminale, kompetencën e insitucioneve të tjera kushtetuese, vërtetojnë faktin se për pushtet Edi Rama është gati të bëjë gjithçka, siç ka bërë gjithçka. Por harron se do të ketë përballë një popull të tërë, do të ketë përballë një bashkim të vendosur dhe më të madhin në historinë e shqiptarëve, më të madhin në numër se ansjëherë më parë kundër tij dhe kundër planit ogurzi për të zhbërë themelet e bashkejetesës kushtetuese demokratike”, tha Basha.
Madje, kryedemokrati paralajmëroi edhe rikthimin te protestat duke përmendur dhe fjalën “përplasje”, pasi u shpreh se javët në vijim janë të fundit për të zgjidhur krizën politike me instrumenta politike. “Këto javë janë mundësia e fundit për të zgjidhur krizën me instrumenta politik, përplasja është e paevitueshme”, tha Basha. Ndërkohë, Lulzim Basha u shpreh se në fillim të muajit dhjetor Partia Demokratike do të parqesë propozimet e saj për Reformën Zgjedhore. I pyetur nëse po komunikohet me Partinë Socialiste për reformën, Basha nuk e pohoi por as e mohoi, pasi ai shprehu falënderim për ndërkombëtarët. /Realstory.al/