Kush janë 8 prokurorët e SPAK dhe dosjet e bujshme që hetuan

AKTUALITET


Sot betohen para Këshillit të Lartë të Prokurorisë 8 prokurorët e përzgjedhur për Prokurorinë Speciale Anktikorrupsion, SPAK. Por kush janë këta prokurorë që do tw krijojnë për herë të parë strukturën e kërkuar me kaq forcë si nga ndërkombëtarët, nga e cila ka një pritshmëri tejet të lartë nga shoqëria mbi hetimin e korrupsionit në nivele të larta, ose siç cilësohen “peshqit e mëdhenj”. Cilat kanë qenë disa nga çështjet më të nxehta që ata kanë pasur nëpër duar?

Altin Dumani

Altin Dumani, i moshës 45 vjeç, i cili cilësohet edhe si një ndër prokurorët që mund të drejtojë prokurorinë speciale SPAK është nga Shupenza e Dibrës dhe mbahet si një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Njihet si prokurori i pakompromis dhe përflitet gjithashtu si një nga emrat më të pëlqyer për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008. Ai u intervistua i pari nga KLP dhe mbahet si një nga prokurorët që nuk i pëlqen buja dhe as nxjerrja e sekretit hetimor. Dumani u vlerësua me pikët maksimale.

Arben Kraja

Arben Kraja, i moshës 47 vjeç nga Shkodra, njihet për qetësinë dhe temperamentin e qetë. Aktualisht është prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe çështja e tij më e fundit është ajo e akuzimit të ish-gjyqtares së lartë, Majlinda Andrea, e shpallur fajtore për afera korrupsioni. Prozhektorët e medias u kthyen ndaj tij vite më parë atëherë kur hetoi Lulzim Bashën në atë kohë ministër i Jashtëm, por që iu nënshtrua hetimeve në pozicionin e ish-ministrit të Transporteve. Basha së bashku me ish-zyrtarë të rrugëve, u vendos nën përgjegjësi për rrugën Durrës-Kukës, dosjen e Armando Prengës për incidentin e Lagunës së Patokut, por edhe deputetë e ish-deputetë të tjerë të gjykuar në Gjykatën e Lartë gjatë maratonës së dhjetëra çështjeve të gjykuara për akuzën e shpifjes. Arben Kraja është konfirmuar në detyrë dhe flet 3 gjuhë të huaja.

Enkeleda Millonai

Enkeleda Millonai, e moshës 39 vjeç është nga Berati. Ajo ka mbajtur përherë një profil të ulët dhe larg medias. Aq sa është e vështirë të bëje identifikimin e saj. Është magjistrate dhe është beqare dhe njihet si një nga prokuroret që ndërsa drejton përkohësisht akuzën e Elbasanit, ka shfaqur vullnet për të luftuar krimin dhe bandat në këtë qytet. Nuk njihet si prokurore që ka pasur dosje të bujshme për shkak se siç thonë prokurorë që kanë punuar me të, drejtuesit e Prokurorisë së Elbasanit e kanë shmangur nga hetimi i dosjeve të forta për shkak të qëndrimit të saj të prerë dhe të pakompromis. Millonai e ka nisur karrierën e saj si sekretare gjyqësore pranë Gjykatës së kryeqytetit dhe më pas ka konkurruar për magjistraturë ku është diplomuar me pikët maksimale. Kur Krimet e Rënda shpallën moskompetencën për ngjarjen e tregut agroushqimor, ajo këmbënguli që kjo ngjarje të hetohej si krim i rëndë, duke treguar se prokurorja nuk negocion aspak kur bëhet fjalë për goditje të autoritetit të shtetit. Është konfirmuar në detyrë dhe flet dy gjuhë të huaja.

Klodian Braho

Klodian Braho, i moshës 37 vjeç është nga Skrapari. Me qetësinë që e karakterizon Braho, po ashtu magjistrat, e nisi karrierën në njësitë antikorrupsion në Vlorë ku spikati me hetimin ndaj ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika, një gjykim i cili për shkaqe sigurie u zhvendos që të kryhej në kryeqytet. Prokurori udhëtonte një herë në dy javë drejt Tiranës për të përfaqësuar akuzën ndaj të zgjedhurit të pushtetit vendor dhe një sërë zyrtarësh lokalë. Hetoi dhe arrestoi për korrupsion ish-gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri, ka vendosur sekuestro ndaj aseteve pasurore të ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të cilin gjithashtu e ka nën hetim për korrupsion. Nën hetim aktualisht ka edhe një pjesë të zgjedhjeve në Dibër si edhe zyrtarë të tjerë për dyshimet e grabitjes së Rinasit. Klodian Braho njihet për tipin e qetë e po ashtu dëshirën për të qëndruar larg bujës.

Behar Dibra

Prokurori Behar Dibra e ka filluar karrierën në vitin 1997. Që nga viti 2004 ai shërben si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës për Krime të Rënda. Dibra ka pasur në dorë çështjen e vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, së bashku me prokurorin Besnik Muçi. Po kështu, Dibra ka qenë pjesë e disa dosjeve të vrasjeve për shkak të marrëdhënieve familjare.

Edvin Kondilli

Po ashtu, një tjetër emër që pritet t’i shtohet SPAK është prokurori Edvin Kondili. Ky i fundit është prokuror i Krimeve të Rënda, që ka pasur gjithashtu në dorë dosje të rëndësishme. Kondili është mes prokurorëve që refuzuan shortin për dosjen Shullazi. Prokurori Kondili ka hetuar më parë dosjen e vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjithashtu, Kondili është prokurori që ka bërë veprimet e para për sekuestrimin e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit. Kondili ka një sërë çështjesh të trafikimit të kanabisit, por edhe dosje të tilla si “Lazarati”, por edhe dosjen e Alket Hatijas.

Ened Nakuçi

Një tjetër emër i njohur që do të bëhet pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion është prokurori Ened Nakuçi. Ai e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si prokuror i Prokurorisë së Tiranës. Në vitin 2003, ai është emëruar Prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën vazhdon ta ushtrojë prej 16 vitesh. Nakuçi ka qenë një nga prokurorët e dosjes “Shullazi”, dosje që u kritikua edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Largimi nga çështja kundër Emiljano Shullazit, pak para se Prokuroria të lexonte pretencën duket si problemi kryesor që iu ngrit Nakuçit gjatë procesit të rivlerësimit.

Elida Celami(Kaçkini)

Prokurorja Elida Celami (Kaçkini), bashkëshortja e gjyqtarit Bezart Kaçkini, e ka filluar karrierën e saj në vitin 2006 në Prokurorinë e Lushnjës dhe më pas në Prokurorinë e Tiranës. Prokurorja Kaçkini ka hetuar katër aktivistët e shoqërisë civile, të cilët më 22 shkurt 2016 protestuan kundër ndërtimit të një këndi lojërash në park. Në aspektin profesional, vetëm kjo çështje mund të konsiderohet e ndjeshme që ka kaluar në duart e prokurores Kaçkini. Prokurorja rezulton se është trajnuar nga Ambasada Amerikane dhe DASH.

Realstory.al



Skip to toolbar