Buxheti 2020 ishte një nga pikat shqetësuese për kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë takimit që zhvilloi me kreun e FMN-së, Jan Kees Martijn. Basha e cilësoi buxhetin 2020 vjedhje të hapur, ku qindra milionë dollarë do të shpërndahen në duart e 13 oligarkëve.
Gjatë deklaratës për mediat, ku Basha ishte i fokusuar vetëm tek ekonomia, tha se opozita e ka zgjidhjen për daljen e vendit nga kriza ekonomike dhe kjo do të vinte duke ndalur koncesionet. Ai tha se sapo të vijë në qeveri do t’ju marrë pasuritë oligarkëve dhe do t’ia japë ato shqiptarëve.
“Kemi ndarë me ta shqetësimin e krizës së thellë ku e ka zhytur kjo qeveri me dështimin e saj. Një ndër problemet kryesore është çështjes e qindra miliona dollarëve që në vend që të shkojnë për shtresat në nevojë, apo për rritje pagash, përfundojnë në duart e 13 oligarkëve. Në qoftë se buxheti që kanë planifikuar do të kalojë, përbën një vjedhje një makutëri të babëzitur, vjedhje të hapur të 146 milion dollarë, që planifikohen t’i jepen 13 njerëzve nesër për PPP e koncesione që quhen, se nuk janë në fakt. Kjo do të çojë në thellim të krizës dhe rritje të borxhit publik. Rruga për daljen nga kjo krizë është e qartë. Kjo do të çojë në një thellim të krizës, qytetarët nuk kanë mundësi t’i paguajnë, por do të rrisë borxhin publik. Lajmi i vetëm, i mirë që ndava me FMN është se opozita ka një plan për ta ndaluar dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë. Ne do të ndalim këto koncesione. Të rikthejmë paratë tek qytetarët, tek studentët, tek qytetarët, fermerët dhe tek biznesi i vogël. Do rikthejmë konkurrencën e vogël. Biznesi nesër do ta ketë në krah qeverinë për ta ndihmuar, jo siç e ka sot. Shqetësimi i tyre është se çfarë proçke do të na bëjë qeveria dhe sa gjoba do paguajmë sot për të mbijetuar. Me vizionin tonë, ne do t’i japim fund kësaj situate. Do vënë nën kontroll borxhin publik, i cili ka dalë totalisht jashtë kontrollit. Takimin e FMN e konsideroj të frytshëm”-tha Basha.