Një vilë në zonën e Kënetës në Durrës është shembur pak minuta më parë duke zënë brenda disa anëtarë të një familje që kishin mbetur nën rrënoja që prej mëngjesit kur tërmeti i fuqishëm goditi Shqipërinë. Sipas informacioneve paraprake që raporton gazetarja e News 24, Klodiana Lala nga vendngjarja, mësohet se nën rrënoja dyshohet të jenë 7 ose 8 persona.
Deri pak minuta më parë, forcat e kërkim shpëtimit e kishin të pamundur ndërhyrjen për të shpëtuar jetët e njerëzve që dëgjoheshin teksa kërkonin ndihmë. Zemrat e të pranishmëve ndalën për disa sekonda kur para syve të tyre janë se vila e cila kishte nën rrënoja persona të gjallë u shemb, duke u shkatërruar plotësisht.
“Dy trupa të pajetë u nxorën pak para se kjo vilë të shembej tërësisht. Nën rrënoja janë 4 fëmijë të mitur, dy prej të cilëve motra binjake jo më shumë se 3 vjeç. Kanë qenë duke fjetur në katin e dytë, aty ku edhe banesa ka pasur goditjen finale dhe kur kanë ndjerë lëkundjet janë mbledhur të gjithë bashke”, tha gazetarja Klodiana Lala në lidhje live me News24.
Gazetarja bëri publike një dëshmi rrëqethëse që vinte nga vila e tmerrit. Gjatë një bashkëbisedimi me një të afërm të familjes me origjinë nga Dibra, djali 17-vjeçar kishte kërkuar ujë. Pasi i kishin dhënë ujë, forcat e ndërhyrjes në terren kishin tentuar t’i ofroheshin për ndihmë djalit, por fatkeqësisht banesa u shemb totalisht.
