Rama fton Bashën: Është koha për bashkim

AKTUALITET


Pas tërmetit tragjik që shkaktoi 51 viktima, kryeministri Edi Rama u bën apel të gjitha forcave opozitare dhe veçanërisht kreut të PD-së, Lulzim Basha që të ulen në një tryezë bisedimi për të dëgjuar idetë dhe propozimet konkrete për të bërë më të mirën për vendin. Rama shkruan në twitter se tani është koha për bashkim konkret dhe se vetëpërmbajtja e treguar deri tani nga kreu i opozitës, Basha, nuk mjafton. Rama thekson se tani është momenti që të gjithë palët të bëhen bashkë për shqiptarët, për të dhënë një mesazh shprese.

“U bëj apel forcave opozitare të ulemi pa humbur kohë në tryezë për të dëgjuar idetë dhe propozimet e tyre konkrete. Në këto rrethana të jashtëzakonshme duhet mbiprodhim energjish pozitive për fatkeqët që kanë humbur gjithçka e mbarë popullin që meriton përkujdesje psikologjike.

Lulzim Basha është koha e bashkimit konkret sepse vetëpërmbajtja në fjalor, sado e mirëseardhur është krejt e pamjaftueshme! Të ulemi për shqiptarët dhe t’u japim mesazhin e qetësisë, durimit, sigurisë se askush nuk do të jetë vetëm në këtë luftë për mbijetesë. Unë jam gati!”, shkruan Rama.

“Për çdo gjë ka një kohë nën këtë qiell; një kohë me lind e një kohë me vdek; një kohë me i mledh e një kohë me i largu gurët; një kohë me rrëzu e një kohë me ngrit; një kohë me fitu e një kohë me hum; një kohë me u luftu e një kohë me u paqtu..Kjo është koha me u ftillu. Për Njerëzit”, shkruan Rama në dialekt.

Kreu i opozitës Basha e ka lënë pas politikën gjatë ditëve të tërmetit duke pasur një qëndrim korrekt në lidhje me përballimin e tragjedisë. Por sipas Ramës edhe opozita duhet të kontribuojë me ide për përballimin me sukses të kësaj situate. Ndaj dhe e fton atë në një tryezë diskutimi që mund të jetë një hap për të shuar mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe për të bashkëpunuar për të ardhmen në të mirë të vendit.  



Skip to toolbar