Hetimet, Prokuroria i kërkon bashkisë listën me ndërtesat e dëmtuara

AKTUALITET


Pasi nisën hetimet për ndërtesat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, Prokuroria e Tiranës është vënë në lëvizje. Me anë të një shkrese drejtuar bashkisë dhe policisë, prokuroria kërkon që të mos bëjnë asnjë veprim për prishjen e objekteve të dëmtuara pa miratimin e prokurorëve. Prokuroria kërkon nga bashkia e Tiranës listën me objektet e dëmtuara nga tërmeti.

“Për nevojat e kryerjes së veprimeve hetimore në funksion të procedimit penal kërkojmë nga ana juaj të informohemi duke na vënë në dispozicion: listën e plotë të ndërtimeve (banesave) të evidentuara nga ana juaj si të prekura nga tërmeti, dhe për të cilat janë konstatuar dëmtime”.

“Për çdo lloj situate në të cilën është konstatuar dëmtim dhe është vendosur prishja e ndërtimit të njoftohet paraprakisht Prokuroria e cila vë në dispozicion grupin hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve. Dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor, të ndërtesave apo banesave në të cilat janë konstatuar dëmtime nga tërmeti. Ky informacion të na vihet në dispozicion brenda datës 05:12:2109”, thuhet ndër të tjera në shkresën e Prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria e Tiranës, Durrësit dhe Krujës nisën hetimet për banesat e dëmtuara nga tërmeti, ku humbën jetën për pasojë 51 persona.

Një grup ekspertësh në fushën e ndërtimit do të jenë ata që do të bëjnë vlerësimin e dëmeve për llogari të hetimeve të Prokurorisë, ku do të shihet nëse është shpërdoruar detyra me dhënien e lejeve të ndërtimit, nëse ato janë zbatuar si duhet nga ndërtuesit dhe inxhinierët, nëse janë ndërtuar kate shtesë pa leje, etj.

Hetimet do të kryhen për qindra godina të dëmtuara në qytetet e prekura nga tërmeti. Të gjitha institucionet, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, Kryeministri Edi Rama, por dhe ambasada e SHBA kanë shprehur mbështetje ndaj Prokurorisë për kryerjen e hetimeve.



Skip to toolbar