Elisabeta Imeraj akuzon prokurorët për dosjen “Basha”: Vepruan me kokën e tyre, ka parregullsi

POLITIKË


Dosja e hetimit për lobimin rus të kryetarit të opozitës Lulzim Basha është bllokuar në prokurorinë e Tiranës dhe nuk i është dërguar ende gjykatës. Mes tre prokurorëve të çështjes Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako ka pasur debate të forta në lidhje me dosjen. Përplasjet bënë që prokurori  Kolë Hysenaj të mos e firmosë atë, si dy kolegët e tjerë Karanxha dhe Tako. Rastin e konfirmoi drejtuesja e Prokurorisë Tiranë, Elisabeta Imeraj, e cila tha se dosja ka disa parregullsi procedurale dhe për këtë nuk është dërguar ende në gjykatë. E kontaktuar nga BIRN, Imeraj akuzoi dy prokurorët Karanxha dhe Tako se janë vetë-shpallur prokurorë të çështjes dhe kanë përjashtuar kolegun e tyre Hysenaj. Madje edhe rrëzimi i akuzës për “pastrim parash” është bërë me firmën e vetëm dy prokurorëve dhe jo Kolë Hysenajt.

Për hetimin e kësaj çështje ka urdhër për ngritjen e një grupi hetimor me tre prokurorë të cilët janë: Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako. Për arsye shëndetësore nuk kam qenë në punë këto ditë, por konstatoj se dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetë-shpallen prokurorë të çështjes, duke e përjashtuar kolegun e tyre. Dosja nuk është dërguar ende në gjykatë, madje nuk është qepur ende. Patjetër që prokurorët kanë të drejtë të vendosin bazuar në ligj dhe në bindjen e tyre të brendshme, por duhet të jemi në rregull edhe nga ana procedurale,” tha Imeraj, e cila shtoi se “Prokurorët në fjalë nuk kanë njoftuar as zëvendësuesin tim gjatë këtyre ditëve që nuk kam qenë në detyrë për arsye shëndetësore.”


Për shkak të konfliktit midis prokurorëve, fati i dosjes hetimore mbetet i paqartë, i bllokuar aktualisht në   Prokurorinë e Tiranës pa një vendimmarrje finale.

Prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako firmosën vendimin për dërgimin e çështjes për gjykim për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve” nga ana e Bashës dhe dy drejtuesve të tjerë të partisë së tij, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi. Hetimet ndaj Bashës nisën në nëntor të 2017, në lidhje me pagesat për lobim të kryera nga ana e PD-së me një shumë prej 675 mijë dollarësh, para që nuk ishin deklaruar si shpenzime në bilancin që PD ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Kreu i PD Lulzim Basha i mohoi këto akuza duke deklaruar se “janë të stisura politikisht”, ndërsa ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, gjithashtu i pandehur, Arben Ristani tha se “as ka firmosur dhe as ka vulosur akte e dokumente, prandaj nuk ka si të ketë falsifikuar.”

Falsifikimi i dokumenteve sipas nenit 190/3 i Kodit Penal parashikon burg nga 3 deri në 7 vjet në rast se të pandehurit gjenden fajtorë.




Skip to toolbar