Pasditen e të dielës në stadiumin “Niko Dovana” në Durrës, u luajt ndeshja midis Teutës dhe Skënderbeut. Ndeshja u luajt në një ambient solidar dhe miqësor, e cila u reflektua edhe në fushën e lojës. Takimi sportiv është nga aktivitetet e para që zhvillohet në qytet pas tragjedisë së rëndë të 26 nëntorit, që shkaktoi 24 viktima vetëm në qytetin e Durrësit.
Teuta ishte ekipi më i tronditur nga tërmeti i 26 nëntorit, por të dielën pasdite lojtarët gjetën forcën për të rikthyer atmosferën e normalitetit në qytet. Me ndihmën e tifozëve, skuadra durrsake fitoi minimalisht 1-0 ndaj Skënderbeut, me golin e shënuar nga Lorenco Vila në fund të kohës së rregullt të lojës.
Ndërkohë, gjatë ndeshjes të dyja ekipet u shfaqën të kujdesshme, ndërsa rastet nuk munguan. Teuta pretendoi dhe një penallti gjatë pjesës së dytë, por arbitri nuk e vlerësoi si të tillë. Ndërkohë, tifozët ultras të Teutës, “Djemtë e Dedit”, bën një dedikim prekës gjatë ndeshjes.
Në një banderolë ata shkruan “Prehuni në paqe”, ndërsa në qendër të saj kishin vendosur numrin ‘51’ që simbolizon viktimat e tërmetit të 26 nëntorit. Pas fitores të së dileës, Teuta ngjitet në vendin e pestë me 22 pikë, ndërsa Skënderbeu me 20 pikë ndodhet në vendin e shtatë.