Ftesa e Ramës për Bashën, PD: Propozimet tona i ka në tavolinë

AKTUALITET


Partia Demokratike reagoi pasditen e të dielës, pasi Kryeministri Edi Rama e quajti “gabim të madh” refuzimin e Lulzim Bashës për t`u ulur në një tryezë së bashku dhe diskutuar rreth përballimit të situatës së krijuar pas tërmetit. Me anë të ish-deputeti Edi Paloka, PD shprehet se “në ditën e 13-të pas tërmetit, ajo që ju duhet shqiptarëve nuk është pasurimi i albumit fotografik propagandistik i Edi Ramës me Lulzim Bashën në një tryezë”.

Partia Demokratike thotë se shqiptarëve u duhet një qeveri e përgjegjshme dhe dërgimin përpara drejtësisë fajtorët. “Ajo që kanë nevojë shqiptarët është një qeveri e përgjegjshme, një kryeministër që nuk e mbush ditën me shfaqje te shëmtuara me fatkeqët. Shqiptarëve nuk i duhet një kryeministër që shfrytëzon fatkeqësinë për të nxjerrë nga sirtari projektet me PPP korruptive për të pasuruar klientët e tij mbi gërmadhat e vdekjes. Shqiptarët duan ndihmë për njerëzit në nevojë. Shqiptarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi para ligjit për fajtorët”.


Duke përsëritur retorikën e zakonshme për dështimin e qeverisë me menaxhimin e situatës, PD pretendon se Lulzim Basha është në lartësinë e kërkesave të shqiptarëve. “Shqiptarët tani ka nevojë për vepra dhe jo për llogje. Në vend të lotëve të krokodilit, shqiptarët kërkojnë siguri nga një qeveri që di dhe ka vullnet t’i zgjidhë problemet e tyre. Deri tani në lartësinë e kërkesave të shqiptarëve është vetëm Lulzim Basha. Në këto 10 ditë, ai ka ofruar 2 plane për kapërcimin e shpejtë të fatkeqësisë: Planin e Emergjencës për banesat e dëmtuara dhe Planin për Rimëkëmbjen e Biznesit të prekur nga tërmeti”, thotë Paloka.

Në fund, PD thotë se zgjidhjet e propozuara janë në tryezën e kryeministrit. “Zgjidhjet e propozuara Edi Rama i ka mbi tryezë. Por si përherë atij nuk i intereson zgjidhja por shfaqja, nuk i interesojnë njerëzit por pushteti dhe paraja”, shkruan ndër të tjera Paloka.




Skip to toolbar