Kryeministri Edi Rama publikoi në “Facebook”, fjalimin që Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan mbajti përpara vendeve anëtare të Organizatës Islamike për Zhvillim. Në takimin që u mbajt të dielën në Stamboll, ku ishte i pranishëm dhe Kryeministri Edi Rama, presidenti turk u bëri thirrje vendeve islamike të mbështesin Shqipërinë për ringritjen nga tërmeti. Gjatë fjalës së tij, Erdogan u shpreh se të bashkuar 50 vendet e kësaj organizate e “ngrenë Shqipërinë në këmbë”.
“Konferenca Islamike ka 50 anëtarë. Ne po të kapemi dorë për dore, po të bashkojmë fuqitë, nuk ka rëndësi sasia, shumë apo pak, ne e ngremë Shqipërinë në këmbë. Kuptohet që dëshirat janë të mira. Por dëshirat po të mbeten vetëm fjalë fluturojnë. Mjalti po nuk hyri në gojë, nuk ëmbëlsohet goja. Ky mjaltë duhet ngrënë, ose ta ndajmë edhe me vëllezërit tanë këtë mjaltë.
Ne këtë duhet të bëjmë, të ndajmë mjaltin së bashku. Bota Islamike është ajo që do ta hedhë hapin më të rëndësishëm. Ne si Turqi po punojmë, por e dimë që nuk është e mjaftueshme. Ne do punojmë, do të vazhdojmë. Zoti Kryeministër i ka dërguar letra dhe kërkesa shumë vendeve. Shpresojmë të marrin përgjigje pozitive këto kërkesa, sepse ne e kemi ndjerë dhimbjen e këtij tërmeti vite më parë në Turqi”, thotë mes të tjerash Erdogan.