Pas takimit me ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela priti në takim ambasadorin e BE, Luigi Soreca dhe të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones. Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, zbardhi edhe temat e diskutuara me Prokurorin e ri të Përgjithshëm Olsian Çela.
Sipas ambasadorit të BE, në takim u diskutua për përparsitë kryesore të Prokurorit të Përgjithshëm, duke përfshirë dhe hetimin financiar proaktiv të zyrave të prokurorisë për tërmetin. “Së bashku me Leyla Moses-Ones, sot takova Prokurorin e Përgjithshëm të sapozgjedhur, Olsian Çela. Ne diskutuam për përparësitë kryesore të zyrës së tij të re, përfshirë rolin kryesor të hetimeve financiare proaktive, veprimin e zyrave të prokurorisë pas tërmetit dhe për fazën kalimtare drejt krijimit të SPAK ”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e ambasadorit Soreca.
Gjithasht, dy drejtuesit e ambasadave të SHBA dhe BE në Tiranë, kanë diskutuar me Prokurorin e Përgjithshëm edhe për fazën kalimtare të krijimit të SPAK, ndërsa shprehen se zgjedhja e Olsian Çelës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme është një hap përpara zbatimit të reformës në drejtësi.
“Zgjedhja e Z. Çela paraqet një hap tjetër të rëndësishëm përpara në zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila është një përparësi kryesore për Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian”, thotë Soreca.
Ndërkohë, me një reagim të Ambasadës së SHBA, lidhur me takimin e Leyla Moses-Ones me Prokurorin e Përgjithshëm, thuhet se “e Ngarkuara me Punë përsëriti sërish mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformën në drejtësi dhe rolin e rëndësishëm që institucionet e prokurorisë luajnë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit”./Realstory.al/