Paketa anti-shpifje, PD: Nëse Rama nuk tërhiqet, ligjet do i anulojmë ne

AKTUALITET


Partia Demokratike reagoi të mërkurën pasdite, në lidhje me paketën ligjore anti-shpifje. PD shpërndau një deklaratë për mediat, ku theksonte se “në televizioni Rai3 në Itali, emisioni “Fuori TG” i ishte kushtuar përsëri Shqipërisë, këtë herë për rrezikun e lirisë së fjalës dhe të shtypit prej nismave qeveritare”, thuhej në deklaratën e PD. Emisioni titullohej “Gojët e qepura”, ndërkohë që sipas PD është trajtuar gjatë “çështja e shumëdebatuar ditët e fundit në Shqipëri, atë të rrezikut të lirisë së fjalës në një skenar mediatik të kushtëzuar nga raportet gjithnjë e më të ngushta të linjës editoriale dhe pushtetit politik”, thuhet në deklaratën e PD.

Më tej, PD bën një koment të vetin duke u shprehur se “në këtë skenar, projektligjet e qeverisë që cënojnë rëndë informimin e publikut dhe përkeqësojnë punën e gazetarëve do të kenë efekt domino në demokracitë e brishta ballkanike.  Në Tiranë prej disa ditësh, OSBE, Këshilli i Evropës, Bashkimi Europian dhe UNDP kanë kundërshtuar draftet e ligjeve të censurës mediatike. Nga Leipzig, Vjenë, Bruksel, Berlin, 7 organizata mediatike ndërkombëtare, së bashku me 15 organizata kombëtare, prej muajsh i kanë kërkuar Kryeministrit Rama të tërheqë 2 projektligjet që shkelin standartet ndërkombëtare dhe të drejtat kushtetuese të lirisë së medias, lirisë së fjalës dhe të së drejtës për informim”.


Selia Blu mendon se dy projektligjet e propozuara nga qeveria e vendosin median online totalisht në kontrollin e ekzekutivit. Sipas PD, Edi Rama, po rikthen gjyqet politike si një presion tjetër dhe rrezik për lirinë e medias. “Edi Rama, në përpjekje për të kontrolluar çdo zë kritik, po rikthen gjyqet politike si një presion tjetër dhe rrezik për lirinë e medias. I tillë është edhe rasti i Jetmir Olldashit, i cili është kërkuar të dënohet vetëm sepse zbuloi përfshirjen në trafikun e drogës të vëllait të Ministrit të Brendshëm. 29 vjet më parë, ne u rreshtuam në krahun e lirisë së fjalës. Dhe nuk kemi ndërmend të heqim dorë prej saj”, thotë PD.

Në fund, PD thotë se rruga e vetme është tërheqja nga projektligjet antidemokratike dhe anti kushteteuese, që synojnë t`i mbyllin gojën medias online. “Rruga e vetme për Edi Ramën është tërheqja e projektligjeve antidemorkatike, antikushtetuese, që mbyllin gojën e medias online. Nëse ai do t’i shkojë deri në fund rrugës së vet të rrezikshme, që cënon më tej imazhin e Shqipërisë dhe dëmton pozicionin e vendit në OSBE, PD do ta anullojë këtë ligj antidemokratik menjëherë sapo të marrë besimin për qeverisjen e vendit”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.




Skip to toolbar