Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur strukturat e partisë në selinë blu për të diskutuar për situatën post tërmet. Mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe nuk ka pasur reagime për median, por sipas A2 CNN Basha ka kërkuar prani të demokratëve të shtuar në terren për të qenë sa më afër banorëve dhe për të denoncuar keqmenaxhimin e situatës nga qeveria. Duket se “armëpushimi” mes qeverisë dhe opozitës, e vendosur në heshtje pas tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit, përfundoi dhe PD i është rikthyer sërish akuzave e sulmeve politike.
Basha e ka vlerësuar menaxhimin e bërë nga qeveria për situatën pas tërmetit si dështimin më të madh të Ramës duke u shprehur se “Rama po përdor krizën e tërmetit për të fshehur krizën politike dhe dështimet e tij”.
Në lidhje me menaxhimin e situatës pas tërmetit, kryeministri Rama i ka bërë disa ftesa publike Bashës për tu ulur në një tryezë dhe për të dialoguar për menaxhimin sa më mirë të situatës, por kryedemokrati i ka refuzuar kategorikisht ato, madje gjatë një dalje për mediat ditën e mërkurë ai tha se vendi nuk “ka nevojë për show dhe foto mes liderit të opozitës dhe qeverisë, por se duhet të punohet për rindërtimin sa më të shpejtë të vendit.” Gjithashtu opozita ka paraqitur një kërkesë me 5 pika që lidhen me rimëkëmbjen e biznesit në zonat e prekura nga tërmeti.