Trajneri që do të drejtojë Tiranën në derbi dhe ndeshjet e mbetura të kësaj faze të kampionatit, Emanuel Egbo, foli për mediat një ditë para sfidës me Partizanin. Ai u shpreh se Tirana është klubi më i madh në Shqipëri, ndërsa u shpreh se derbi duhet fituar. “Tirana është klubi më i madh në Shqipëri dhe e pranoj çdo punë. Është detyrë, pasi është klubi i zemrës. Këtu kam ardhur për herë të parë në Shqipëri. Duhet ta marrim si ndeshje të radhës. Derbi është në fokusin e Shqipërisë, ka edhe nga jashtë që duan ta shohin. Nuk mund të flasim për objektiva, është ndeshja e radhës që duhet fituar. Objektivat janë të njëjta nga fillimi. Vendi i parë është 6 pikë larg. Do futemi në fushë për të luftuar”, the Egbo.
Emanuel Egbo është i ndërgjegjshëm se nuk mund të jetë ai trajneri i Tiranës deri në fund të sezonit, ndaj shprehet se ekipit i duhet një tjetër trajner. “Nuk mund të them a jam njeriu i duhur apo jo. Më është dhënë besimi për ta drejtuar skuadrën tani dhe Nuk më intereson a jam i duhuri apo jo. Kjo është zgjedhja e klubit . Nuk mendoj ta drejtoj Tiranën deri në fund. Duhet një me eksperiencë. Edhe unë kam drejtuar Bylisin, por Tirana do një staf të plotë. Tani jam vetëm me përgatitësin atletik. Të kalojmë këtë ngërç dhe klubi do vendosë”, tha Egbo.
Më tej, Egbo shprehet se Tiranës nuk i mungon asgjë për të fituar ndeshjen derbi. Sipas tij, fakti që Partizani është në krye të renditjes, është një motiv më shumë që Tirana të fitojë takimin e së premtes. “Nuk na mungon asgjë për të fituar. Duhet të luftojmë çdo ndeshje, duhet durim. Nuk duhet të mendojmë kohën se sa kohë kemi pa fituar dhe të dalim jashtë detyrave nga presioni. Është pak e vështirë, ata janë të parët. Ne jemi më poshtë. Një arsye tjetër që na motivon është kjo. Nesër do japim 100 për qind nga kapaciteti ynë. Me ato tre pikë mund të lehtësohet më shumë kjo situatë që po kalojmë”, shprehet trajneri.
Më tej, Egbo shprehet se Tirana do të ketë disa mungesa, por thotë se ata që do të luajnë do të japin maksimumin. “Edhe ata kanë mungesa, jo vetëm ne. Nuk kemi Hasanin, Dungën, Cale dhe Osmanin. Edhe ata që do të luajnë do të japin maksimumin në fushën e blertë”, shtoi Egbo.
Në fund, ai bëri dhe një rikthim në kohë, kur ishte vetë lojtar i Tiranës. Egbo tha se atëherë ishte kohë tjetër, Tirana e niste gjithmonë ndeshjen me rezultatin 1-0. “Kur isha unë, ishte epokë tjetër. Atëherë dilnim kampion. Ka pasur lojtarë më ndryshe. Kishim Fortuzin dhe sa fillonim ndeshjen e dinim që e nisim 1-0. Futbolli ka ndryshuar, nuk ka ekipe të lehta dhe të forta. E shikoni vetë nga diferenca. Atëherë ishin Tirana, Partizani dhe Dinamo. Ekipet e tjera ishin kalimtare”, përfundoi Egbo.