Ministrja e Drejtësisë foli të enjten se paketa për amnistinë është depozituar në Këshillin e Ministrave. Ajo tha se propozimet e Ministrisë së Drejtësisë pritet të miratohen së shpejti, duke i dhënë mundësi disa kategorive të dënuarish të përfitojnë nga amnistia. Gjonaj tregoi se gratë, fëmijët dhe të moshuarit janë tre kategoritë kryesore që përfitojnë nga amnistia.
“Ministria e Drejtësisë e ka depozituar propozimin e saj në Këshillin e Ministrave dhe Këshilli i Ministrave do ta miratojë ditët në vijim, duke përfshirë të gjitha kategoritë që ne i kemi pasur më shumë prioritet, sic janë gratë, të miturit dhe të moshuarit. Ende nuk ka një përllogaritje përsa kohë është i ndryshueshëm numri dhe lidhet me disa kritere që kanë të bëjnë me vitet e mbetura të dënimit të pakryer apo dënimit të marrë nga gjykata, por është një numër, pak më i vogël në krahasim me amnistitë e kaluara”, tha Gjonaj.
Deklaratat ministrja Gjonaj i bëri të enjten pasi foli në Komisionin e Ligjeve, ku prezantoi disa ndryshime ligjore që lidhen me sistemin e burgjeve dhe dënimin. Gjatë fjalës së saj në komision, Gjonaj u shpreh se pasi të miratohen këto ndryshime, do të fillojë edhe zbatimi i sistemit “41 Bis”.
“Ne si Ministri Drejtësie kemi ndërmarrë një hap të rëndësishëm atë të regjimit të posaçëm 41 bis ku kemi synimin të rekrutojmë një staf adekuat sipas standardeve europiane. Për këtë nismë të re mjaft të rëndësishme dhe që bëhet për herë të parë në sistemin penitenciar, kërkojmë një trajtim më adekuat dhe më special të punonjësve. Lidhur me efektet financiare që sjell trajtimi i njëjtë i punonjësve të policisë në burgje, dëshiroj të theksoj se është punuar dhe bashkërenduar me MFE mbi tabelën e efekteve financiare mbi kalkulimin dhe rritjen e pagës. Kjo gjë është parashikuar edhe në buxhetin e 2020”, tha Gjonaj.