Tërmeti, Banka Botërore 100 milionë dollarë Shqipërisë

AKTUALITET


Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë në Bankën Botërore, Patrizio Pagano, në një intervistë për Zërin e Amerikës, u shpreh se tërmeti do të ketë efekte në ekonominë e vendit në aspektin afatshkurtër. Sipas tij, pasi të bëhet vlerësimi i dëmeve, Banka Botërore është gati të bëjë një livrim të shpejtë të dy huave që kapin vlerën prej 100 milionë dollarësh dhe që do të përdoren sipas prioriteteve të qeverisë.

“Në rastin e Shqipërisë, ka një portofol ekzistues projektesh që nuk janë livruar ende e që mund të ripërshtaten për të zgjidhur disa nga problemet. Më e rëndësishmja, ka dy hua të politikave të zhvillimit, një prej të cilave sapo është miratuar nga bordi dhe tjetra është ende duke u përgatitur, që do të jenë gati për t’u livruar shumë shpejt. Këto hua janë instrumente në mbështetje të buxhetit të qeverisë në përgjithësi dhe vlera e tyre shkon në gati 100 milionë dollarë. Këto janë fondet më të gatshme që mund të dislokohen sapo të kemi një shifër të vlerësimit të dëmeve dhe në bashkëpunim me qeverinë do të vendosen përparësitë”, tha Patrizio Pagano.

I pyetur nëse Banka Botërore po i jep mendim Shqipërisë në lidhje me shkurtimin e shpenzimeve, me qëllim përdorimin e parave për rindërtimin, Pagano është shprehur se në këtë drejtim nuk ndërhyn. Megjithatë, ai shton se Banka Botërore ka një limit të fondeve që jep për situata të tilla.  “Këto janë vendime që i takojnë qeverisë shqiptare dhe Banka Botërore nuk ndërhyn në këto vendime. Banka është aty për ta ndihmuar qeverinë në çfarëdo vendimi që merr. Sigurisht që ne kemi një limit të fondeve që mund të japim në situata të tilla, por Banka nuk jep rekomandime se çfarë duhet të bëjë konkretisht qeveria”, tha Pagano.

Sipas tij, pasojat në ekonominë shqiptare do të jenë në disa drejtime. Së pari ai thekson se Prodhimi i Brendhshëm Bruto në tremujorin e parë kur ndodh ngjarja, do të jetë dramatikisht i ulët. “Zakonisht në situata të tilla, Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin kur ndodh ngjarja, do të jetë dramatikisht e ulët për arsye të uljes së prodhimit. Pra për vitin 2019 ekonomia do të ketë pasoja nga kjo ngjarje dhe ka të ngjarë që kjo të përçohet edhe në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”, tha Pagano.

Por, sipas tij, me nisjen e rindërtimit, ekonomia e vendit pritet të rimëkëmbet. Madje, Drejtori i Bankës Botërore për Shqipërinë e shikon në këndvështrimin pozitiv tërmetin, pasi sipas tij, banesat që do të rindërtohen do të jenë të qëndrueshme dhe do të ketë një ekonomi më të qëndrueshme në të ardhmen.

“Normalisht pas disa tremujorësh, fillon rindërtimi dhe ekonomia mëkëmbet. Në përgjithësi nuk do të parashikoja ndonjë efekt të madh pasi kjo nuk do të ndikojë ndoshta në tendencën që ka vendi. Unë e shoh këtë ngjarje edhe si një mundësi pasi me rindërtimin, ndërtesat e reja do të jenë më të qëndrueshme dhe do të ketë një ekonomi më të qëndrueshme në të ardhmen. Është e vështirë të thuash se kur do të ndodhë mëkëmbja, pasi nuk kemi akoma vlerësimin e dëmeve. Dhe Shqipëria nuk është i vetmi vend që vuan pasoja të tilla. Në aspektin afatshkurtër do të ketë pasoja por nuk pres që ato të jenë aty në aspektin afatgjatë”, tha ai.



Skip to toolbar