Policia dhe avokati kanë arritur të bindin dhe vëllain e dytë të familjes Kusi, pas dorëzimit të të parit, që të vetëdorëzohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi dyshohen për vrasjen e teknikut të kondicionerit, ngjarje e ndodhur më 22 gusht të këtij viti në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë. Megjithatë, ndaj Albano Kusit, të dorëzuar të dielën në polici, prokuroria ka ngritur aktualisht vetëm akuzën për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Burimet zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara në ambientet të ndryshme e banesa si dhe pas negociatave me avokatin dhe familjarët, është bërë e mundur që në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të vetëdorëzohet shtetasi në kërkim Albano Kusi, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në datë 25 gusht 2019, ka lëshuar urdhrin për ekzekutimin e vendimit penal të datës 25.08.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila ka caktuar masën e sigurisë ”Arrest ne burg”, për shtetasin Albano Kusi për Veprat Penale të “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
Shtetasi Albano Kusi, në datë 22.08.2019, rreth orës 11.00, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, në ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe në pronësi të shtetasit Bujar Kusi, ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, në lidhje me vrasjen me armë zjarri të teknikut Indrit Çela. Më 22 nëntor, në polici u dorëzua edhe vëllai i tij, Griseldo Kusi, i cili duket se ka marrë përsipër krimin për të shpëtuar vëllain e tij, duke e akuzuar vetëm për pengim të hetimeve.
Dy vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, 31 dhe 28 vjeç, pasi qëlluan punëtorin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke e lënë fillimisht të plagosur rëndë, kërcënuan një tjetër punëtor, Lorenc Veliaj që shoqëronte Indrit Çelën për riparimin e kondicionerit me të cilin kishin lidhje shoqërore, duke i kërkuar të pranojë para autoriteteve se është ai personi që plagosi 26-vjeçari. Por dëshmia e këtij të fundit zbardhi pastaj të gjithë ngjarjen e ndodhur. Ai deklaroi se ishin vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi që në bashkëpunim me njëri-tjetrin qëlluan me armë punëtorin, pas një debati se po pikonte ujë kondicioneri.