Reagimi i forcave të kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit ka shkaktuar një debat të fortë në studion e Real Story të Sokol Ballës në News 24, ku ministrja Xhaçka ka deklaruar se perimetri i sigurisë është vendosur vetëm dy orë pas tërmetit tragjik.
Por kjo deklaratë ka hasur në kundërshtinë e gazetarit Erjon Skëndaj, i cili pretendoi se perimetri i sigurisë është vendosur më vonë dhe nuk ka pasur organizim.
“Videon e parë që e kam këtu, tregon momentin që nxirret një grua nga policë dhe familjarë. Video e dytë ka qenë pas orës 7:00. Video e tretë, vijnë ushtarakët dhe zëvendësojnë kompaninë Bami, pas orës 7.30. Ushtarët vijnë dhe tregojnë se nuk kanë asnjë pajisje dhe në mënyrë të gabimtë, zëvendësojnë kompaninë që ishte më e përgatitur dhe zënë vendin, ku ju pak më herët kishit qenë. Ndërkohë Presidenti ka ardhur pas videos së tretë, kur ka rënë tërmeti mbi 5 të shkallës Rihter”, tha Skëndaj. Por, ministrja Xhaçka këmbënguli se forcat e kërkim shpëtimit kanë vendosur perimetrin e sigurisë rreth orës 06:00 të mëngjesit, një orë e gjysmë pas mobilizimit të forcave të kërkim shpëtimit dhe kur ka ardhur Presidenti Meta, forcat kanë qenë në vend.
Ndërsa anëtari i kryesisë së PD, Enno Bozdo ka hedhur akuza ndaj mazhorancës, duke kërkuar edhe dorëheqjen e ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. “Së pari unë jam i befasuar, që minimalisht nuk kërkon ndjesë për mënyrën sesi qeveria e përballoi situatën pas tërmetit. Kemi qenë dëshmitarë që vërtetojnë se forcat kanë qenë me duar në xhepa, pa asnjë lloj pajisje për situata të tilla. Po të mos kishin qenë ekipet e vendeve mike, ky bilanc do të ishte shumë herë më i rëndë sesa ishte. Ditën e tërmetit askush nuk dinte të bënte asgjë. Sot e kësaj dite, të gjitha të dhënat që vijnë nga tërmeti nuk janë ende përfundimtare, unë them që ka ende zona që vazhdon bilanci i banesave. Ka zona që nuk i ka parë njeri. Pra unë befasohem dhe prisja nga ju sot minimumin e ndershmërisë që po kemi qenë të papërgatitur. Ky është komenti im, por kam dhe një pyetje për ju. Ju personalisht keni dhënë premtimin pas 21 shtatorit, se të gjithë ekspertët do të shkojnë në Thumanë për banesat. 28 viktimat e Thumanës, nëse ju do ndërhynit në kohë, minimalisht do të ishin në jetë. Mbani ju përgjegjësi zonja ministre? Ju personalisht ju shkon në mëndje të jepni dorëheqjen apo jo?”, tha Bozdo.
Ministrja Xhaçka: Unë po ju them se e kam parë me shumë dëshpërim këtë që po ndodh nga opozita, vende shumë më të zhvilluara se ne nuk e kanë zgjidhur dot me një të kërcitur të gishtave, apo me shkop magjik, por e kanë zgjidhur me shumë mund. Patjetër që kemi fshatra, që nuk i kemi verifikuar, pasi nuk i kemi burimet njerëzore dhe do të ishte e mirëpritur edhe ardhja juaj për të kontribuar me ndihmën tuaj. Do ishte shumë më e dobishme që njerëzit mos t’i mbanit në salla, por t’i sillnit në grupin e punës. Tani po them dhe një herë, nuk e di se çfarë prisni ju nga shteti shqiptar, por është bërë pikërisht gjithçka. Që në momentet e para, mos harrojmë se ky tërmet shkaktoi panik edhe te njerëzit që vrapuan për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, dhe gatishmëria e shtetit është ekzatkësisht ajo që në kohë rekord, ne morëm masat e duhura. Patjetër kemi pasur deklarata të qytetarëve, në ato momente, ku minutat duken orë, por patjetër kam një apel për mediat, që pavarësisht gatishmërisë, kanë pasur shumë kakofoni në orët e para. Po ju them dhe një herë mos ngatërroni ekipet e shpëtimit me reagimin e parë, pasi kemi parë ushtarë dhe struktura të policisë, të cilat nuk janë pjesë e ekipeve. Insistoj dhe një herë, se në momentin e vendosjes së perimetrit të sigurisë, çdo informacion e keni marrë nga zyra e mbrojtjes.
Enno Bozdo: Në fjalën tuaj të gjatë gjeta vetëm një të vërtetë se ju nuk keni kapacitete, kur thoni se edhe tre javë pas tërmetit, ende keni zona të pakontrolluara. E vlerësoj se e di që ka kosto personale. A mbani përgjegjësi për këtë gjë?
Ministrja Xhaçka: Më duket e keni të dëgjuar dhe nuk i paskeni bërë detyrat e shtëpisë.
Enno Bozdo: Jeni e filmuar zonja ministre, ruani minimumin e përgjegjësisë
Ministrja Xhaçka: Zoti Balla të ftuarit tuaj besoj se duhet të kishin ardhur të përgatitur, por para se të pyesin të tregojnë se ku kanë qenë atë ditë dhe gjatë kësaj kohe. Përgjegjësia për të bërë vlerësimin e dëmeve, është e pushtetit vendor. Me vendim të këshillit bashkiak dhe me gjithë grupet e ekspertëve të ngritur pranë pushtetit vendor. Ky proces i nisur nga 21 shtatori, Nuk më keni dëgjuar të jap siguri, veç se shteti e ka detyrim vlerësimin e dëmit dhe marrjen e masave për dëmshpërblimin. Drejtoria e Emergjencave Civile është vetëm drejtori koordinuese.
Sokol Balla: Pra pushteti lokal duhet të kishte bërë vlerësimin e banesave?
Ministrja Xhaçka: Ekzaktësisht dhe jam e bindur se pushteti vendor po bën sërish vlerësimin e dëmeve.
Sokol Balla – Një vërejtje, si për qeverinë, ashtu dhe opozitën dhe Presidentin Meta, pavarësisht punës me duar dhe në kushte të vështira, unë mendoj se ndoshta ata meritonin të vlerësoheshin mbase dhe më shpejt se vendet e tjera, pasi ata ishin ata që të parët u përballën me këtë situatë. Pikërisht për ato që ju thatë se ata 38 veta janë shpëtuar nga forcat shqiptare, duhet të kenë një vlerësim, të paktën një vlerësim moral, por edhe vlerësime të tjera.