A ishin institucionet e përgatitura? Xhaçka: Shpëtuam 38 jetë, ishim më të përgatitur se…

POLITIKË


Në një lidhje Live, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka tha në emisionin “Real Story” se institucionet dhe reagimi i tyre pas tërmetit ishte i duhur dhe shumë më i mirë nëse kjo do të kishte ndodhur një vit më parë. I pyetur nga gazetari Sokol Balla nëse ka një “plasaritje” të institucione që nuk u kapën gati për të tilla fatkeqësi natyrore, ministrja Xhaçka tha se askush nuk mund të jetë i përgatitur plotësisht përballë fatkeqësive të tilla natyrore, por që sistemi i ngritur për koordinimin dhe mirë menaxhimin e situatave të tilla dha një efekt pozitiv, pasi vetëm në orët e para pas tërmetit nga ekipet e kërkim-shpëtimit shqiptare u shpëtuan 38 jetë njerëzish.

“Më duhet të them se nuk jam dakord me ju Zoti Balla dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë. Asnjë fatkeqësi nuk i kap dot të gjithë plotësisht të përgatitur, qofshin këto edhe superfuqi botërore. Mund të them se na kapi më të përgatitur se një vit me parë, pasi sot kemi një sistem më të mirë që bën të mundur menaxhimin dhe përballimin e këtyre emergjencave që nga pushteti vendor me zjarrfikëset, ekipet e kërkim-shpëtimit dhe me të gjitha strukturat e saj e deri tek pushteti qendror me policinë, mjekët, e urgjencat. Ajo që kemi bërë me reformën në emergjencat civile është që kemi ngritur një sistem shumë më efektiv të koordinimit të gjithë këtyre aktorëve dhe përgjegjësinë që duhet të marrë secili prej tyre në përballimin e këtyre fatkeqësive. Nëse këtë reformë do e kishim 10 apo me 15 vite më parë sot do kishim një gjendje tjetër” u shpreh Xhaçka.


A janë nxjerrë mësime nga kjo fatkeqësi? Ministrja Xhaçka tha se ajo ka qenë gjatë gjithë kohës duke punuar në terren për përballimin e situatës në mënyrë që të luftohej kundër kohës dhe ekipet e kërkim–shpëtimit shqiptare, kanë mjetet e nevojshme për situata të tilla, ku u shpëtuan shumë jetë njerëzish nën rrënojat.

Kam qenë në terren për të kapur kohën dhe për të vrapuar kundër kohës, për të bërë vlerësimin e dëmeve dhe përballimin e kësaj fatkeqësie. Nuk ka përgatitje për të tilla gjëra, patjetër ka një koordinim dhe më herët kishim bërë edhe një stërvitje për situata të tilla së bashku me SHBA dhe disa vende të rajonit për t’i bërë ballë këtyre problematikave që vijnë nga fatkeqësitë natyrore dhe emergjencat civile.  Ne nuk kemi teknikën më të zhvilluar, por kemi atë të nevojshme për të bërë reagimin e parë së bashku me ekipet e kërkim-shpëtimit. Ekipet tona kanë shpëtuar 38 jetë njerëzish në orët e para pas tërmetit dhe kjo duhet vlerësuar. Kushtrimi është dhënë 10 minuta pas goditjes fatale. Në orën 05:30 minuta ishim në Thumanë dhe në 6:45 minuta në Durrës ”, tha Xhaçka.




Skip to toolbar