Thaçi refuzon ftesën e Ramës për takimin e mini-Shengenit

#NËRADAR


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi se refuzon pjesëmarrjen në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë në 20 dhe 21 dhjetor. Pasi Kryeministri Edi Rama njoftoi të martën se Thaçit i është dërguar ftesa për pjesëmarrjen në këtë takim, kreu i shtetit të Kosovës reagoi një ditë më pas. Në një njoftim në rrjetet sociale, duke shprehur falënderimin për Shqipërinë, Thaçi thotë se Kosova vuan pengesa serioze në konsolidimin e shtetit. Këto pengesa, sipas tij, janë krijuar nga Serbia, ndaj për sa kohë nuk ka njohje reciproke, s`mund të ketë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal.

“Mbështetja dhe bashkëpunimi reciprok ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është i natyrshëm dhe i përhershëm. Mirëpo, për dallim nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet. Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë”.

“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”.

“Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Thaçi.

Në fund, ai thotë se rrethanat që pamundësojnë pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbeten të njëjta me ato që pamundësuan pjesëmarrjen në takimin e Novi Sadit dhe në Ohër. “Në fund, dua të theksoj se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë”, tha Thaçi.



Skip to toolbar