Gjykata liron tre punonjësit e AdZM në Shkodër

AKTUALITET


Gjykata e Shkodrës e cilësoi të paligjshëm arrestimin e tre punonjëve të Administratës së Zonave të Mbrojtura, të cilët u vunë në pranga nga policia tre ditë më parë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër vendosi të lirojë nga qelia shtetasit Vesel Tusha, 56 vjeç me detyrës specialist në AZM, Palë Keçi 65 vjeç gjithashtu specialist si dhe Refik Zagani 57 vjeç me detyrë rojë mjedisore në AZM.

Të tre këta shtetas u ndaluan pasi pas kontrolleve të ushtruar në Velipojë u konstatuan disa shkelje, gërime, shpyllëzime, rrethime me gardh etj. Gjithashtu, në komunikatën e Policisë së Shkodrës, thuhej se u proceduan në gjendje të lirë edhe disa persona të tjerë.

Ndërkohë, pas lirimit nga Gjykata reagoi dhe Administrata e Zonave të Mbrojtura në Shkodër. “Në bazë të një kontrolli të përbashkët, të ushtruar nga Policia e Shtetit dhe ISHMPUT Shkodër në Zonën e Mbrojtur PUTM Lumi Buna-Velipojë, u bë ndalimi i tre punonjësve të AdZM Shkodër ditën e hënë të kësaj jave”.

“Gjykata e Rrethit Shkodër, mbajti seancën për tre punonjësit tanë dhe gjyqi përfundoi duke e vlersuar “arrestimin të paligjshëm”. AdZM Shkodër ka mbështetur që në fillim dhe vazhdon të mbështesë procesin për zbardhjen e ngjarjes me besimin e plotë tek pafajësia e specialistit dhe dy Rangers të Velipojës! Skuadra e Administrata e Zonave te Mbrojtura, Shkodër i uron kolegëve Vesel Tusha dhe Refik Zagani punë të mbarë në vazhdim, ndërsa Palë Keqit i urojmë ta gëzojë pensionin”, thuhet në njoftim.



Skip to toolbar