Funksionimi i BKH? 60 hetues do trajnohen nga FBI në SHBA

#NËRADAR


Tetë prokurorët e posaçëm të SPAK nisën zyrtarisht punën dhe detyra e tyre parësore është ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të jetë e ngjashme me FBI-në amerikane. Madje hetuesit e saj do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virginia. Vetëm pak muaj më herët ambasada amerikane në Tiranë njoftoi se hetuesit e BKH do të trajnohen në SHBA dhe puna e kësaj strukture do të jetë e njejtë me atë të FBI-së që do të thotë se do të hetojë bosët e krimit dhe zyrtarët e korruptuar me qëllim vënien e tyre para drejtësisë.

“Në shumë mënyra BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane e cila heton krime në nivelin e lartë në SHBA. Në fakt hetuesit e BKH do të trajnohet në akademinë e FBI-së në Virginia. Ligji mbi SPAK kërkon që një komision ndërkombëtarë të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjen e hetuesve të BKH-së”, njofton SHBA.


BKH do të përbëhet nga një drejtor dhe nga një ekip hetuesish të cilët do të duhet të përmbushin standarde të forta të ngjashme me ato të FBI-së. Kryeprokurori i posaçëm i SPAK dhe dy prokurorë të posaçëm të tjerë do të zgjedhin bashkarisht drejtorin e BKH-së. Ky drejtor do të drejtojë ekipet e hetuesve. Pasi të jenë përzgjedhur për këtë program të rëndësishëm kombëtar, drejtori dhe drejtuesve të BKH-së do t’u monitorohen llogaritë bankare dhe telefonat për t’u siguruar që kryejnë detyrën me integritet dhe paanashmëri.

Ngritja e BKH-së ka një rëndësi të veçantë pasi në të kaluarën kemi parë raste kur cilido person që kishte para dhe pushtet mund të ndikonte në sistemin e gjykatave në favor të tyre. Por tani kushtetuta i jep SPAK fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin në nivelet e larta. Me t’u ngritur SPAK dhe BKH do të jetë në gjendje të hetojë korrupsionin në nivelet më të larta dhe prokurorët e posaçëm do t’i çojnë këto çështje në gjykatë. “Zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar do të japin llogari dhe do të përballen me drejtësinë. Prokurorët e posaçëm dhe BKH janë këtu për tu siguruar që askush nuk do të jetë mbi ligjin”, thekson SHBA, e cila ka investuar jo pak por 2 milionë dollarë që ky program dhe kjo nismë të ketë sukses.

Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) do të ketë në përbërje 60 hetues.

Kandidatët që do të paraqesin interes do të vlerësohen në bazë të aftësive profesionale, integritetit, por edhe aftësive mendore dhe fizike. Fillimisht, ata duhet të plotësojnë një formular “online” dhe deklaratën e pasurisë dhe figurës e më pas kalojnë këtë fazë do të duhet të kalojnë dy provime me shkrim, një intervistim me panelin e SPAK-ut dhe një testim fizik e shëndetësor.

Shtetet e Bashkaura të Amerikës, të cilat jo vetëm do të trajnojnë hetuesit e BKH-së me metodat që përdor FBI, por njëkohësisht do ta mbështesin dhe në anën logjistike. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shpërndau pak ditë me herët një njoftim, ku tregon se SHBA dhuroi pesë poligrafë që do të shërbejnë për të kryer testimin e aplikantëve për Byronë Kombëtare të Hetimit.

“Këtë javë, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) hodhi një tjetër hap përpara drejt ngritjes së saj me dhurimin e pesë paketave të kontrollit poligraf nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për Ministrinë e Brendshme. Pajisjet do të përdoren nga poligrafë të trajnuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilët do të kryejnë testimet e aplikantëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, për të ndihmuar në ruajtjen e standardeve më të larta të integritetit”, thuhet në njoftim. Dhurimi i poligrafëve nga SHBA, është pjesë e një programi  të financuar nga Departamenti i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare.

“Dhurimi dhe certifikimi i poligrafëve është pjesë e një program dhjetë javor, financuar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës nëpërmjet Programit Ndërkombëtar të Ndihmës për Trajnime në Hetimet Penale (ICITAP). Drejtori i Përgjithshëm dhe ekipi menaxhues i Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SIAC) – organizata që do të punësojë shqyrtuesit e poligrafeve – iu bashkuar drejtuesit të programit ICITAP dhe drejtueses së INL në Shqipëri për ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve”, thuhet në deklaratë.

Poligrafët janë pajisje speciale që përdoren nga FBI gjatë hetimeve dhe marrjes në pyetje të personave të ndryshëm, duke matur përgjigjet fiziologjike të personit. Nëpërmjet kësaj pajisje, hetuesit zbulojnë nëse personi po thotë të vërtetën apo gënjen. Kjo pajisje do të përdoret fillimisht te vetë hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Shqipëri, duke siguruar që ata do të kenë integritet të lartë në punën e tyre. Poligrafët e dhuruar nga SHBA, do të përdoren më pas nga BKH për punën e saj hetimore./realstory.al




Skip to toolbar