Ndërsa në Shqipëri liria e fjalës dhe e medias është kthyer në qendër të debatit politik për shkak të miratimit nga maxhoranca qeverisëse së paketës ligjore anti-shpifje e cila u kundërshtua nga opozita dhe nga shoqatat e mediave, i ngarkuari me punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Daniel Koski duke folur për lirinë e medias në Shqipëri tha se edhe në SHBA vendosen kufij. Ai theksoi në fjalën e mbajtur në Konferencën Vjetore të Zyrës së Avokatit të Popullit, se “liria e fjalës nuk është licencë për të thënë çfarë të duam”. Sipas tij, liria e fjalës përbën thelbin e demokracisë, por theksoi se fjalët mund të çojnë në dhunë ndaj është e nevojshme vendosja e kufijve.
“Liria e fjalës nuk është licencë për të thënë çfarë të duam, pavarësisht nga pasojat. Edhe ne në Shtetet e Bashkuara vendosim kufij mbi të ashtuquajturat fjalë luftuese dhe forma të tjera të shprehjes që çojnë drejtpërdrejt në dhunë. Por, kufijtë përcaktojnë shoqëritë duke treguar çfarë ato tolerojnë dhe çfarë ato kanë frikë. Ne amerikanët mbrojmë fjalën kritike, të çuditshme dhe fyese sepse toleranca është shenjë e forcës sonë. Duke lejuar fjalën fyese, përveç rasteve ekstreme, ne ngulim këmbë që shoqëria jonë të mos jetojë në frikën e fjalëve.
Sërish, nuk është e thjeshtë të përcaktosh kufirin midis fjalës së pranueshme dhe fjalës që provokon dhunë. Prandaj jemi sot këtu – për të shqyrtuar kufijtë e fjalës së lirë. Unë thjesht ju kërkoj që ta vendosni atë ku në mënyrë të gjerë dhe pa frikë”, është shprehur Koski.
Ai theksoi se liria e fjalës duhet mbrojtur se përndryshe kthehen forma të regjimit diktatorial, ndërsa solli si shembull Shqipërinë në regjimin e Enver Hoxhës.
“Mbi të gjitha, fjala e lirë i ka dhënë formë thelbit të demokracisë që nga lindja e saj në Ballkanin Perëndimor pothuajse 2,500 vjet më parë. Demokratët e Athinës krijuan një qeveri të bindjes, të arsyetimit racional: një qeveri të fjalës. Fjala e lirë është fryma e demokracisë. Mbyte atë, ndërprite rrjedhën e saj dhe trupi politik mund të vdesë. Nga ana tjetër, fryma e mospajtimit ka fuqinë për të tronditur një shtet policor. Kjo është arsyeja pse diktatorët kërkojnë të shtypin zërat kritikë. Ata mund të mbijetojnë vetëm nëse mohojnë fjalën e lirë të popullit të tyre. Kur ata e privojnë shoqërinë e tyre nga oksigjeni, që është fjala e lirë, demokracia vuan dhe kalbet. Shqipëria u zgjua nga makthi komunist i kontrollit të fjalës jo më larg se 30 vitet e fundit. Shumë prej jush e dinë shumë mirë se si është të jetosh me frikën e pasojave të paparashikuara të fjalëve të tua. Shumë prej jush u rritën në një shoqëri në të cilën një fjalë e thënë rastësisht mund të të çonte në burg, punë të detyruar dhe tortura. Ju nuk duhet të ktheheni më kurrë në atë shoqëri”, tha Koski.