ONM: Të shkarkohet Hajdarmataj, dyshime për korrupsion. Visha e akuzoi për Babalen

#NËRADAR


Komisioneri Publik ankimoi të premten vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që në datën 16 tetor të këtij viti konfirmoi në detyrë prokurorin e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj. Ankesa e Komisionerit Publik drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, erdhi me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se vendimi për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit”.


“Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit,  z. Besim Hajdarmataj”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik.

Ndërkohë, në adresën e ONM kanë mbërritur disa denoncime në lidhje me prokurorin Besim Hajdarmataj. Këto denoncime lidhen me disa aspekte. Së pari: “Gjatë hetimit administrativ, pranë Komisionit dhe ONM-së, janë depozituar disa denoncime kundrejt subjektit të rivlerësimit. Ndër të tjera, këto denoncime referojnë pesë çështje penale të një rëndësie të lartë, të hetuara respektivisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, prokuroria e Kurbinit/Laç dhe ajo e Durrësit, kur në drejtimin e tyre ishte subjekti i rivlerësimit. Denoncuesit pretendojnë që rastet objekt denoncimi janë keqmenaxhuar me dashje nga subjekti, në këmbim të favoreve financiare”, thuhet në relacionin e Komisionerit Publik, ku citohet ONM.

Ndërkohë, ONM ngre dyshime edhe për pasurinë e prokurorit Besim Hajdarmataj, në lidhje me disa shumë financiare, që sipas ONM janë të pajustifikueshme si dhe një apartament Banimi. Për këtë arsye, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkon shkarkimin e prokurorit Hajdarmataj nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Një natë më herët, avokati i Geron Xhafajt, Ardian Visha, nga studio e emisionit Real Story të Sokol Ballës në News 24  ka hedhur akuza të forta dhe publike ndaj ish-kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmatajt, duke thënë se ka vepruar në mënyrë të paligjshme për çështjen Babale.

“Pse “Babalja” u tërhoq nga komunikimi me Geron Xhafën? Në mënyrën më të pisët është përpjekur të bëjë të njëjtën gjë, një muaj më vonë. Madje, prokuroria bëri një operacion të gjerë për të zbuluar të vërtetën. Për këtë është pyetur edhe prokurori Hajdarmataj, i cili për mua ka vepruar në mënyrë të paligjshme. Është realizuar një përpjekje tjetër. Vjen Babalja në zyrë, hyn në zyrë, madje pa i marrë asnjë kartë identiteti, dhe i rrëfen se si të nesërmen do të bënte në trafik të madh narkotikësh. Hajdarmataj njofton dy drejtorë të SHISH për të organizuar operacionin, pa kryer asnjë marrëveshje. Ne kemi kërkuar të procedohen të gjithë ata që janë pjesë e kësaj. Në 1 faqe dëshmi të Babales ke të paktën 8-9 dëshmi të pavërteta, që ta besosh o duhet të jesh naiv, ose me qëllim të keq. Hajdarmataj ka vepruar në mënyrë të paligjshme”, deklaroi avokati Visha. /Realstory.al/




Skip to toolbar