I vëllai i Kastriot Reçit, 47-vjeçarit të vrarë të martën në Mirditë në atentat, tregon detaje nga ngjarja e rëndë. Sipas një deklarate që transmeton Balkanëeb, i vëllai i Kastriot Reçit rrëfen se ishte së bashku me të në momentin që ai u qëllua me snajper. Sipas rrëfimit të vëllait të viktimës, ata të dy sapo kishin zbritur nga makina dhe do futeshin në një lokal. Por ata ishin ndarë vetëm disa sekonda para se 47-vjeçarit ti merrnin jetën.
“Ne sapo kishim parkuar makinën dhe u nisëm drejt lokali ‘Mirdita’. Kastrioti po fliste në telefon dhe unë vazhdova më para dhe u futa në lokal. Akoma nuk isha ulur në karrige kur dëgjova njerëz tek bërtisnin dhe grumbulloheshin. Dola menjëherë i habitur pasi as krisma nuk dëgjova, dhe pashe vëllain të shtrirë përmbys.
Nuk kishte shumë gjak në rrugë dhe menjëherë e dërguam tek spitali. Kur e zhveshëm në spital, pamë që ai kishte marrë një plumb mes dy shpatullave dhe kishte ndërruar jetë menjëherë”, ka rrëfyer për të afërmit vëllai i viktimës. Ceremonia e varrimit e 47-vjecarit do bëhet sot në orën 14:00. Brenda dy vitesh, 2 nga 7 vëllezërit Reçi janë vrarë në atentate.