Basha, Ramës: Gati për çdo hap për të zgjidhur krizën

POLITIKË


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se cilido sistem zgjedhor të miratohet do të dështojë nëse nuk garantohet ndarja e politikës nga krimi, ndalja e blerjes së votave dhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore nga një drejtësi e pavarur. Në një deklaratë për mediat para takimit me aleatët, Basha tha se fajin nuk e ka sistemi dhe se kjo alibi është e dështuar, por shtoi se PD është gati për çdo hap për të zgjidhur krizën. 

Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Rama nga Vjena se kriza është artificiale e krijuar nga një palë politike, Basha tha se vendi është në krizë të thellë politike dhe se ky vit do t’i jap fund kësaj krizë pa sqaruar se si do ndodh kjo.

“Kam qenë dhe jam i hapur dhe e kemi shprehur për të diskutuar me të gjithë qytetarët se cili sistem zgjedhor do të aplikohet. Nisur nga praktikat e 7 viteve të fundit mund të themi se cilido sistem do të dështojnë nëse nuk garantojmë ndarjen e zgjedhjeve nga krimi. Alibia se fajin e ka sistemi mund të kthehet në një shtojcë të propagandës së Ramës, për kapjen e gjithë kupolës së PS duke blerë vota. Shqipëria sot është në një krizë emigracioni. Unë zgjedh të besoj Bundestagun dhe jo Ramën. Vendi është në një krizë të thellë politike. Këtë shqiptarët e ndjejnë në lëkurën e tyre. Këtë shqiptarët e ndjejnë në mungesën e theksuar të shtetit. Sot janë braktisur mijëra familje. Pushteti i tij personal e ka zhytur vendin në një krize legjitimiteti. Axhenda ime është ekonomia, dinjiteti dhe mirëqenia e çdo shqiptari. Në funksion të kësaj jemi gati të hedhim çdo hap”, tha Basha.

Basha foli edhe për konfliktin SHBA-Iran, ku tha se është krah SHBA dhe demokracisë, ndërsa vlerësoi edhe rolin që ai pati si ministër i Jashtëm duke rreshtuar Shqipërinë krah NATO-s.

“Liria dhe demokracia kanë një çmim të lartë. Shqiptarët e kanë kuptuar se pa luftuar për demokracinë ajo rrezikon të zhduket. Unë jam krenar që si Ministër i Jashtëm kam rreshtuar Shqipërië krah NATO-s. Jemi përkrah SHBA dhe vlerave të lirisë dhe demokracisë”, u shpreh Basha.



Skip to toolbar