SPAK ka goditur një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte lëndë narkotike në në Amerikën Latinë dhe disa shtete të Evropës.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, grupi kriminal operonte në Brazil, Amrikën Latine, Beligjikë dhe Holandë. Nga hetimet e kryera është krijuar dyshimi se të hetuarit kanë trafikuar për periudhën e mësipërme të paktën 50 ton kokainë.
Gjatë hetime janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha. Gjatë tyre janë sekuestruar në total 8 ton e 960 kg lëndë narkotike e llojit kokainë dhe konkretisht:
Episodi 1 – 11 Maj 2020 – Trafikimi i një sasie prej 700 kilogramë lëndë narkotike të llojit kokainë, e sekuestruar në portin e Ëaasland (Antverp), Belgjikë, e gjetur në një kontejner me pjesë këmbimi makinash, i shkarkuar nga një anije e ardhur nga Kina.
Episodi 2 – 6 Qershor 2020 – Tentativa e trafikimit të një sasie prej 2010 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Guayaquil, Ekuador. Lënda narkotike kishte si destinacion përfundimtar të saj Holandën dhe kishte të stampuar tre logo të ndryshme (Jaguar, Shqiponjë dhe BB).
Episodi 3 – 16 Gusht 2020 – Trafikimi i një sasie prej 1100 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e sekuestruar në Roterdam të Holandës. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 4 – 16 Dhjetor 2020– Trafikimi i një sasie prej 4.1 ton lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdam, Holandë. Kjo ngarkesë kishte mbërritur në portin e Roterdamit me një anije detare nga Porti i Guayaquil, Ekuador.
Episodi 5 – 03 shkurt 2021– Tentativa e trafikimit të një sasie prej 1 ton e 50 kg lënde narkotike kokainë, e sekuestruar në Kolumbi me destinacion final Francën .
Hetimet kanë treguar se përveç episodeve të mësipërme, anëtarët e grupit kriminal kanë trafikuar nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të Europës dhjetëra tonelata të tjera kokainë, e cila është trafikuar dhe tregtuar te persona të tjerë. Nga realizimi i kësaj veprimtarie janë siguruar të ardhura të konsiderueshme.
