Antishpifja, Desir konfirmon Ramën: Ligji u konsultua me OSBE

POLITIKË


Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir ka deklaruar se ligji antishpifje është bërë nga qeveria shqiptare duke u konsultuar me OSBE-në, e cila ka dhënë rekomandimet e saj për mënyrën e trajtimit të keqinformimit duke konfirmuar kështu ato që Rama deklaroi para se ligji të miratohet në parlament.

Të mbledhur në Vjenë, ku Shqipëria merr kryesimin e OSBE dhe pritet që të enjten të paraqesë prioritetet e saj për 2020, Harlem Desir tha para gazetarëve se do të trajtohet edhe ligji për mediat. Desir u shpreh se ka pasur debate të shumta për miratimin e antishpifjes, por shtoi se masat ligjore që lidhen me paketën e keqinformimit janë për rastet e nxitjes së terrorizmit, pornografisë me fëmijët dhe kërcënimin e sigurisë kombëtare.

“Marrja e kryesisë se OSBE nga Shqipëria është një rast i mirë për të folur edhe për ligjin e ri të mediave në Shqipëri dhe paketën anti-shpifje. OSBE ka dhënë rekomandimet e saj për qeverinë në lidhje me ligjin vitin e kaluar dhe kemi mbështetur amendamente të ndryshme për këtë legjislacion në mënyrë që të garantojmë sot lirinë e fjalës dhe shprehjes e cila duhet të respektohet. Në lidhje me debate dhe çështje të ndryshme që lidhen me keqinformim apo shpifjen kjo bazohet në çështje të caktuara siç janë terrorizmi, pornografia me fëmijët dhe çështje e sigurisë kombëtare”, u shpreh Desir.

Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir tha se bisedimet me qeverinë do të vijojnë, në mënyrë që të garantohet pavarësia e institucioneve që do të merret me monitorimin e mediave online dhe implementimin e këtij ligji, ndërsa shtoi se AMA-s duhet t’i sigurohet pavarësia për të kryer punën e saj larg ndikimeve politike.

“Kemi diskutuar edhe në lidhje me mënyrën e mbrojtjes së medias në këtë ligj, dhe siç e kam thënë dhe në deklaratat më herët, duam që në këtë pikë të vazhdojmë diskutimet me qeverinë në lidhje me instrumentet ligjore që të jenë të pavarura dhe të përgjegjshme në mënyrë që të mos vënë në rrezik të ardhmen e mediave online. Do të vazhdojmë të punojmë me këtë legjislacion që lidhet edhe me mënyrën e implementimin të saj dhe rolin e AMA-s si një institucion rregullues në mënyrë që të përdorë fuqitë e saj në mënyrë të pavarur dhe e pa ndikuar nga politika dhe të jetë garantuese e lirisë së medias”, tha Desir.

Paketa “anti-shpifje” kaloi në parlament në seancën e tij të fundit për 2019 me shumë debate në foltoren e Kuvendit, ndërsa jashtë tij protestonin gazetarët për mosmiratimin e saj. Ajo u sulmua ashpër pasi konsiderohej mjaft e ashpër për të ardhmen e medias online dhe se cenonte lirinë e fjalës. Një nga pikat më të diskutuara të saj ishte mbyllja e portaleve nga AKEP nëse AMA vendoset se kishte një Fake News, por me amendamentet e fundit në parlament në ligjin e miratuar kjo u ndryshua duke u vendosur se do të bllokohet vetëm lajmi dhe jo portali.



Skip to toolbar