Kreu i Kufirit kalon vettingun, pasuria dhe karriera e tij

AKTUALITET


Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka konfirmuar në detyrë drejtorin e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit, Eduart Merkaj. Trupa e vlerësimit e përbërë nga Sonila Kadarej, Luljeta Qoku dhe Ledian Rusta konstatuan dhe deklaruan se nga hetimi administrativ i drejtorit të departamentit të Kufirit dhe Migracionit Eduart Merkaj, rezulton pa problem në të tre komponentët e vlerësimit.

Vendimi për Merkajn është dhënë paraditen e së hënës nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i cili tha se gjatë procesit të verifikimit nuk është konstatuar asnjë problem sa i takon pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Eduart Merkaj vitet e fundit ka mbajtur edhe detyra të tjera të larta në hierarkinë e policisë, si Drejtor i Policisë Kriminale dhe i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA).

Ai mban postin e drejtorit në Departamentin e Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit prej janarit të vitit të kaluar me urdhër të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Më parë ka kaluar me sukses “filtrat” e Vettingut edhe drejtori i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Tonin Vocaj.

Karriera

Eduart Merkaj ka lindur më datë 22 Maj 1977 në qytetin e Lushnjes. Është i martuar me dhe ka dy vajza. Është diplomuar në Shkollën e Lartë Universiteti “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Fakulteti Filologjik,dega Gjuhë-Letërsi (DND) vitet 1995-1999. Titulluar Oficer në SHISH viti 2000. Titulluar Specialist i Lartë Policie (DND) viti 2005 në Akademinë e Policisë . Aktualisht i diplomuar “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë. Ka një eksperiencë pune në strukturat e Agjensive Ligjzbatuese , Kontrollit të Brendshëm , Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë , ku ka mbajtur disa funksione :Oficer SHISH (2000-2003), Oficer në SHKB (2003-2006).O.P.GJ pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm (2006-2010) . Specialist në sektorin Antikorrupsion,Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit (2010-2013).Shef Sektori të Forcës së Posaçme,në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale,në DPSH(2013-2015). Si edhe Shef Sektori për Hetmin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Shtetit viti (2016 ).

Pasuria

Merkaj ka deklaruar një pasuri bruto në vlerën e 90,350 euro ku 11,750 euro prej të cilave janë kredi dhe borxhe ndaj të tretëve. Çifti Merkaj zotëron dy apartamente në Tiranë me vlerë totale të tyre prej 81,000 eurosh. Njëri prej apartamenteve  1+1 me sipërfaqe 57.40 metra katrorë është blerë në vitin 2004 në vlerën e 5 milionë lekëve të rinj (39,000 euro). Për blerjen e këtij apartamenti ata kanë deklaruar se kanë marrë një kredi në shumën prej 32,000 eurosh ndërsa vlera e mbetur është plotësuar nga kursimet familjare. Për këtë kredi rezulton se kanë mbetur pa shlyer dhe 7300 euro. Këtë apartament 1+1 Eduart Merkaj e ka deklaruar të dhënë me qera për vitin 2017 nga ku ka përfituar të ardhurat në vlerën prej 157,500 lekë (1250 euro).

Apartamentin e dytë 2+1 me sipërfaqe 88.8 metra katror e ka deklaruar të blerë në vitin 2011 me vlerë totale prej 5,329,200 lekë (42,000 euro). Burimi i të ardhurave për blerjen e kësaj prone është deklarura huaja e marrë në vlerën e 5 milion lekëvë të rinj (39,000 euro) me interes vjetor 6% shtetasit A.P lidhje shoqërore e tyre e vërtetuar me deklaratë noteriale huaje. Pjesa e mbetur prej rreth  3000 eurosh për blerjen e këtij apartamenti është plotësuar nga të ardhurat e tyre vjetore.  Detyrimin prej 4,575,000 (35,700 euro ) Eduart Merkaj dhe bashkëshortja e deklarojnë të shlyer në 6 vite 2011-2017, ndërsa ka mbetur sipas tyre pa shlyer dhe 3300 euro.

Në momentin që ka marrë detyrën e drejtorit të SHÇBA (maj 2017) Eduart Merkaj ka deklaruar gjithashtu në pronësi  të bashkëshortes një automjet tip benz, R320CDI, prodhim i vitit 2006, në shumën e 4,000 eurove.Këtë automjet e ka deklaruar të përfituar nga shkëmbimi (kokë më kokë) me një makinë që e dispononin më parë. Ndërsa 7 muaj më vonë me datën 18.12.2017 ka deklaruar se këtë automjet e ka shitur në vlerën e 9,000 eurove duke fituar kësisoj nga kjo shitje 5,000 euro.

Kreu i Policisë Kriminale deklaron të ardhura vjetore nga paga, shpërblime dhe dieta  për vitin 2017  në funksionet e Drejtorit të SHÇBA dhe atij të Policisë kriminale në shumën prej 1,463,348 lekë (11,600 euro) Bashkëshortja e tij T.Merkaj me profesion gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka deklaruar të ardhura vjetore nga paga në vlerën e 1,127.840 lekë ( 8900 euro). Bashkëshortët  kanë deklaruar depozita bankare në vlerën e 6,150 eurove dhe kursime cash dhe qeraja apartamentit në vlerën e 3200 eurove.



Skip to toolbar