Pak ditë pasi mori drejtimin e Zyrës së OSBE për vitin 2020, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jasthme Edi Rama, do të vizitojë Ukrainën në fillim të javës së ardhshme. Në datën 20 dhe 21 janar, Rama do të ketë një axhendë të ngjeshur takimesh e vizitash në Ukrainë dhe në zonat e konfliktit në këtë vend. OSBE bëri një deklartë publike në lidhje me vizitën e Ramës në Ukrainë, ku tregon axhendën e takimeve që do të ketë ai në cilësinë e kreut të OSBE.
“Kryetari i Përgjithshëm i OSBE-së, Kryeministri i Shqipërisë dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Edi Rama, do të vizitojë Ukrainën javën e ardhshme. Ai do të bisedojë me zyrtarë të nivelit të lartë ukrainas në Kiev dhe do të udhëtojë në lindje të vendit. Në cilësinë e Kryetarit të Zyrës së OSBE-së për vitin 2020, Rama do të zhvillojë bisedime me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, Kryeministrin Oleksiy Honcharuk, Ministrin e Jashtëm Vadym Prystaiko dhe Kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov. Gjithashtu do të mbahet dhe një konferencë për shtyp me ministrin e Jashtëm të Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Më tej, jepen dhe detaje nga çështjet që do të diskutohen mes Kreut të OSBE, Edi Rama dhe zyrtarëve ukrainas. Sipas njoftimit, mësohet se “bisedimet do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore.
Të nesërmen (21 janar) ai do të vizitojë Ukrainën lindore për të pasur një përvojë të dorës së parë të situatës në zonat e prekura nga konflikti dhe punën e SMM. Kjo vizitë e parë zyrtare si Kryetar i Zyrës së OSBE-së nga Rama pasqyron rëndësinë e madhe që ai i kushton përpjekjeve të OSBE-së për të adresuar krizën në dhe rreth Ukrainës, sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot”, thuhet në deklaratën e OSBE. Kryeministri Edi Rama, njoftoi më herët gjatë marrjes zyrtare të detyrës si kreu i OSBE, se vizitën e parë do ta zhvillonte në Ukrainë. Ai gjithashtu tha se do të ketë edhe një vizitë në Rusi, shtet me të cilin Ukraina është në konflikt prej disa vitesh.