Me dy pistoleta vodhi xhiron ditore të lokalit, pranga 24-vjeçarit

AKTUALITET


Policia e Krujës arrestoi një 24-vjeçar, i dyshuar si autor i vjedhjes së xhiros ditore të një lokali. Në datën 19 janar, në qytetin e Krujës, dy persona të armatosur grabitën kamarierin e një lokali, duke marrë xhiron ditore nën kërcënimin e armës. Në total, kamarierit iu vodhën rreth 20 mijë lekë të reja. Menjëherë pas ngjarjes, Policia nisi hetimet duke mbledhur informacione në rrugë operative për autorët e kësaj vjedhje.

Kështu, dy ditë më pas, Uniformat Blu realizuan operacionin “Cudhi”, duke prangosur shtetasin A.K., 24 vjeç, banues në fshatin Kroj Madh të Njësisë Administrative Cudhi, Krujë. Gjithashtu, u shpall në kërkim policor bashkautori tjetër i ngjarjes, për të cilin nuk bëhen me dije të dhënat për arsye hetimore.

Gjatë operacionit, në momentin që shërbimet e Policisë kanë rrethuar banesën për të ushtruar kontroll, shtetasi A. K. ka dalë nga banesa me dy armë zjarri pistoleta në brez, por është neutralizuar dhe arrestuar nga forcat e policisë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy armët e zjarrit pistoleta me dy krehra me fishekë. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për kryerjen e veprave penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.



Skip to toolbar