Raporti për korrupsionin, Shqipëria ruan pikët, por zbret në renditje

AKTUALITET


Perceptimi mbi korrupsionin mbetet i njëjtë në Shqipëri dhe për vitin 2019, ashtu si në vitin 2018, ku rezulton se Shqipëria nuk ka bërë hapa para dhe kjo ka bërë që ajo të zbresë në renditjen e 180 vendeve të futura në përllogaritje nga organizata Transparency International.

Organizata ndërkombëtare Transparency International publikoi sot Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, i cili vlerëson se mbi dy të tretat e vendeve janë duke shënuar hapa prapa në përpjekjet antikorrupsion.

Indeksi radhit 180 vende dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një shkallë prej zero pikësh deri në 100, ku zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 një vend shumë të pastër. Shqipëria në indeksin e këtij viti renditet në vendin e 106, me 36 pikë, ndërkohë që një vit më parë ka qenë në vendin e ’99 po me të njëjtat pikë.

Me këto pikë të mbledhura Shqipëria qëndron në vendnumëro sa i përket perceptimit për korrupsionin, megjithëse ka zbritur në renditje për shkak të përmirësimit të vendeve të tjera.

Kosova, në indeksin e sivjetshëm, radhitet e 101-ta me 36 pikë. Ky rezultat do të thotë se ka shënuar përkeqësim në luftën kundër korrupsionit krahasuar me vitin paraprak, kur ka qenë në vendin e 93-të, me 37 pikë.

Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, përmirësim të lehtë në luftën kundër korrupsionit ka shënuar vetëm Mali i Zi. Në indeksin e sivjetmë të organizatës Transparency International, ky vend radhitet në vendin 66-të, duke u ngjitur me një vend, krahasuar me vitin e kaluar.

Serbia ka rënë nga vendi 87 në 91. Në aspektin global, raporti tregon se katër vende të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, kanë treguar performancë më të keqe në luftën kundër korrupsionit, krahasuar me vitin e kaluar – në mesin e tyre: Kanadaja, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Gjermania dhe Japonia nuk kanë treguar asnjë përmirësim, ndërsa vetëm Italia ka marrë një pikë më shumë.

“Mungesa e përparimit të vërtetë në luftën kundër korrupsionit, në shumicën e vendeve, është zhgënjyese dhe ka efekte të thella negative për qytetarët në mbarë botën”, tha Patricia Moreira, drejtore menaxhuese pranë organizatës Transparency International.

“Për të pasur ndonjë shans për t’i dhënë fund korrupsionit dhe për të përmirësuar jetën e njerëzve, ne duhet t’i trajtojmë marrëdhëniet midis politikës dhe parave të mëdha. Të gjithë qytetarët duhet të përfaqësohen në vendimmarrje”, tha Moreira.

Rezultatin më të mirë në luftën kundër korrupsionit sivjet e kanë treguar: Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda, ndërsa në fund të listës janë: Somalia, Sudani Jugor dhe Siria.



Skip to toolbar