Policia e Tiranës arrestoi një 61-vjeçar i cili kërcënonte me thikë për vrasje bashkëshorten. Sipas policisë, qytetarët lajmëruan se në banesën e shtetasit F.B., po ndodhte një sherr. Forcat e policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Ato kanë gjetur shetasin me inicialet F.B., 61 vjeç duke kërcënuar bashkëshorten e tij me thikë se do e vriste. Ndërkohë, më herët 61-vjeçari kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. Për këtë arsye, ai është arrestuar në flagrancë nga policia.
Bashkëshortja e këtij shtetasi ishte e pajisur me urdhër mbrojtje nga Gjykata, pasi 61-vjeçari kishte ushtruar në mënyrë të përsëritur dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.