Presidenti Trump kërcënoi të mërkurën se do të marrë masa për rregullimin ose mbylljen e kompanive të caktuara të mediave sociale.
Kërcënimi vjen një ditë pasi kompania Twitter Inc për herë të parë u shtoi një paralajmërim disa prej tweet-eve të Presidentit, duke i shtyrë lexuesit të kontrollonin me fakte disa nga pohimet e tij.
Twitter paralajmëron se pretendimet e presidentit për dërgimin e votave me postë ishin të pavërteta dhe të kundërshtuara nga faktet.
Presidenti kishte thënë përmes një postimi se votat e dërguara me postë do të bëheshin shkak për “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara.
Sot në mëngjes Presidenti shkroi në Twitter se “Republikanët ndiejnë se platformat e mediave sociale i lënë në heshtje të plotë zërat konservatore. Ne do t’i rregullojmë ato fuqishëm, ose do t’i mbyllim para se të lejojmë që kjo të ndodhë”.
PARALAJMËRIMI I TWITTER
Të martën kompania Twitter për herë të parë paralajmëroi përdoruesit të kontrollojnë faktet në postimet që vë Presidenti Trump në Twitter. Kompania paralajmëron se pretendimet e presidentit për dërgimin e votave me postë ishin fallso dhe ishin kundërshtuar nga faktet.
Një pikëçuditëse ngjyrë blu nxit përdoruesit të “kontrollojnë faktet për votat” dhe i drejtonte lexuesit që klikonin mbi të në një faqe me artikuj lidhur me këtë temë.
“Presidenti Trump ngre pretendime të pabaza se fletëvotimet e dërguara me postë do të çojnë në falsifikime votash” shkruante një faqe pasuar me shpjegime për ato që i cilësonte si pretendime fallso.
Presidenti kishte thënë përmes postimit në Twitter se votat e dërguara me postë do të sillnin “manipulime të konsiderueshme” duke sjellë zgjedhje të manipuluara. Ai veçoi guvernatorin e Kalifornisë lidhur me këtë temë, megjithëse ky nuk është shteti i vetëm që lejon vota me postë.
“Unë, si President, nuk do të lejoj që kjo të ndodhë,” tha ai.