Dhjetëra mjekë, infermierë dhe pacientë u infektuan me koronavirus brenda mjediseve të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza nga një infermierë.
Referuar kësaj situate ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu, ka pohuar se ky fenomen nuk është i pazakontë:
“Duke qenë spitalet vende të ekspozuara është një fenomen e ka ndodhur dhe në vende të tjera ku ka lindur një infeksion i cili më pas për arsye të hetimit epidemiologjik dhe masave që janë marrë është ndërprerë në kohë”.
Ministria kërkon nga bluzat e bardha në mënyrë kategorike të përdorin masat mbrojtëse gjatë ofrimit të shërbimit:
“Mjekët, infermierët i disponojnë të gjithë materialet e mbrojtjes personale….ajo çfarë duhet është vetëm zbatimi i protokolleve të sigurisë në këto spitale”
Qendra spitalore universitare Nënë Tereza ashtu si edhe 42 spitalet e vendit do të vijojnë të japin shërbim për çdo pacient, ndërsa testit për koronavirus do t’i nënshtrohen vetëm ata që kanë simptoma:
“Kur një pacient kërkon të marr një shërbim shëndetësor por ka simptoma dhe është i dyshuar për Covid-19, atëherë atij i merret tamponi, vendoset në një dhomë të izoluar me një staf të dedikuar i cili është i veshur dhe më pas, pas përgjigjes se tamponit vijohet me shërbimet e tjera.
Në një epidemi çdo rast që të vjen përballë duhet menduar që mund të jetë rast që mund të mbart infeksionin e Covid-19, ndaj përgjigja ndaj këtij infeksioni është masat e mbrojtjes personale”.
Kthimi në izolim është një opsion që nuk mendohet nga komiteti teknik, por forcimi i rregullave dhe shtimi i kontrolleve po:
“Kthim pas nuk do të ketë, por do të ketë një kontroll të shtuar në të gjitha nivelet. Duke shtuar inspektimet në terren nga gjithë task forca anti-covid dhe gjithashtu dhe në spitalet tona për të mos ulur në asnjë moment vigjilencën”.
Për ministren e Shëndetësisë shtimi i rasteve menjëherë pas heqjes se kufizimeve lidhet me mos respektimin e masave anti-covid, ndaj edhe apelon që të gjithë të jenë më të kujdesshëm.