Knut Fleckenstein është një emër i njohur në Shqipëri. Ai ka qenë prej disa vitesh raportues i Parlamentit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor ku futet dhe Shqipëria. Një zë në Parlamentin Europian në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në BE.
Vetë, Knut Fleckenstein ka postuar në Twitter se nuk do të jetë më eurodeputet, por gjithësesi ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit.
“Sipas përllogaritjeve të para, unë nuk do të kthehem në Parlamentin Europian. Por, do të vazhdoj të jem i lidhur ngushtë me Europën dhe Ballkanin Perëndimor. Më shumë informacion, javën e ardhshme”, ka shkruar ai në Twitter.
Fleckenstein është deputet i partisë Socialdemokrate e cila në këto zgjedhje nuk pati performancën e shpresuar. Fleckenstein nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij ndërsa pohoi se do të kishte dashur ta përfaqësonte edhe për 5 vite Hamburgun në PE.