Gjermania shtrëngon masat për ‘të shpëtuar’ festat

CORONAVIRUS


Shifrat e infektimeve në Gjermani janë ende të larta, por të qëndrueshme. E megjithatë, Gjermania synon  t’i shtrëngojë edhe më shumë masat e mbylljes së lehtë, me shpresën që në festat e Krishtilndjeve dhe fundvitit numri i infektimeve të mos rritet shumë.

Dhe që të mos ndodhte si dy javë më parë, kur masat e parashikuara nga kancelarja Merkel i befasuan shefat e landeve, të cilët nuk i pranuan ato, këtë radhë kryeministrat duket se kanë rënë dakord paraprakisht me kancelarinë.

Sipas propozimit të tyre, i cili u bë i njohur të martën nga disa agjenci lajmesh, masat ndahen në dy faza: në fazën para festave, nga 1 deri më 20 dhjetor dhe në fazën pas 20 dhjetorit e deri në fillim të janarit.

Faza para Krishtlindjeve

Sipas draftit, është rënë dakord që mbyllja e pjesshme, në të cilën ndodhet Gjermania qysh prej dy javësh, të vazhdojë deri më 20 dhjetor. Hotelet, restorantet dhe palestrat do të qëndrojnë të mbyllura. Njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur, duke shmangur udhëtimet dhe kontaktet e panevojshme.

Deri më 20 dhjetor do të zgjatet mbyllja e restoranteve, klubeve, palestrave.

Maska dhe takime

Takimet private do të kufizohen në pesë veta gjithsej nga vetëm dy familje. Fëmijët nën 14 vjeç nuk llogariten.

Maskat mbesin të detyrueshme në ndërtesa publike, dyqane dhe mjetet e transporti publikut. Maska të jetë e detyrueshme edhe jashtë, në zonat me shumë njerëz, çka në disa lande praktikohet qysh tani.

Përjashtimet e Krishtlindjeve

Për datat nga 23 dhjetori deri më 1 janar vlejnë masa të tjera për shkak të krishtlindjeve, të cilat në Gjermani janë festat ku mblidhen familjet. Prandaj edhe lejohen takimet me deri 10 njerëz nga më shumë se dy familje, megjithëse këtu nuk numërohen fëmijët që janë nën 14 vjeç. Që tubime të tilla të mos kthehen në vatra infektimi, njerëzve u bëhet thirrje që të vetëkarantinohen  për disa ditë para dhe pas festave. Kishat të zhvillojnë ceremoni të vogla festive – duke synuar të shmangin shërbimet tipike, më të mëdha

Porta e Brandenburgut, 31 dhjetor 2019, festime të këtij lloji këtë vit do të mungojnë. Fishekzjarret lejohen vetëm në grupe të vogla dhe jo aty ku ka shumë njerëz.

Festimet e Vitit të Ri

Hedhja e fishekzjarrëve të lejohet vetëm në vende të vogla. Shitja, blerja dhe lëshimi i fishekzjarrëve nuk do të ndalohen plotësisht. Por njerëzit këshillohen të mos i përdorin ato, për të mos rritur kështu rrezikun e lëndimeve dhe ngarkimin e urgjencës së spitaleve.  

Pushimet fillojnë më 16 dhjetor

Maskat të vendosen në klasa (aktualisht ato vendosen vetëm nëpër shkollë, jo në banka) nga klasa e 7-të e sipër në zona me më shumë se 50 raste për 100,000 banorë. Sidoqoftë, shkollat ​​që nuk kanë asnjë infeksion mund të përjashtohen.

Vendimi për vijimin e mësimit në shtëpi do t’i lihet në dorë çdo landi më vete. Por sipas informacioneve nga Berlini, thuhet se është rënë dakord që pushimet e festave të fillojnë qysh më 16 dhjetor.

Stimuli ekonomik

Landet kanë rënë dakord që programet ekzistuese në mbështetje të bizneseve, sipërmarrësve të pavarur dhe klubeve të zgjerohen dhe të zgjaten. Landet do të inkurajojnë qeverinë federale që të shikojë mundësinë e zgjatjes së ndihmave për bizneset që janë në vështirësi, si për shembull kultura, udhëtimi dhe dëfrimi – deri nga mesi i vitit 2021.

Masat në varësi të infektimeve

Sidoqoftë, landet që nuk janë shumë të prekura lejohen t’i lirojnë kufizimet e tyre edhe nëse ato vlejnë për landet e tjera. “Landet që nuk janë zona rreziku, nëse janë nën 50 raste (për 100,000 banorë në javë), duhet të kenë mundësinë të lehtësojnë kufizimet,” i dha radios kombëtare gjermane Manuela Schwesig, kryeministre socialdemokrate e landit të Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore.

Ndryshe nga hera e kaluar, kur ministrat u befasuan nga propozimet e kancelares, këtë radhë duket se ka pasur më shumë dakordim mes federatës dhe landeve. Në foto: Angela Merkel, kanelarja gjermane, dhe Jens Spahn, ministri i shëndetësisë, të dy nga Unioni Kristiandemokrat (CDU)

Se sa nga këto propozime të shefave të landeve do të merren parasysh gjatë takimit të sotëm, i cili fillon në orën 14.00, kjo nuk dihet ende. Kancelarja gjermane e lëvdoi të martën propozimin, por shtoi se do të sillte edhe disa propozime të vetat. Kancelarja gjermane tha në një takim virtual me grupin e saj parlamentar se ajo do të sugjerojë masa më shtrënguese në ato zona që kanë infeksione të larta. Më 14 ose 15 dhjetor, do të ketë një mbledhje tjetër për të vlerësuar gjendjen.

Të martën, sipas Institutit Robert Koch, numri i infeksioneve të reja në Gjermani ishte 13.554, Që nga fillimi i pandemisë, Gjermania ka pasur gjithsej 942.687 të infektuar, prej të cilëve 14.361 kanë humbur jetën./dw



Skip to toolbar