Të gjithë individët ose familjet e prekura nga procedurat për zhvendosje nga banesat e tyre do të akomodohen sipas ligjit “Për strehimin Social”, pavarësisht nëse kanë apo jo titull pronësie mbi banesën apo pronën nga e cila zhvendosen.
Ky vendim është marrë së fundmi nga qeveria shqiptare, duke gjetur kështu një zgjidhje edhe për familjet që do të shpërngulen nga zona e Astirit në Tiranë, ku janë prekur rreth 424 familje për shkak të projektit për Unazën e Madhe.
Një ditë më parë, qeveria ka marrë vendimin për përcaktimin e procedurave të zhvendosjes së individëve ose familjeve nga vendbanimi a strehimi i tyre, në rastet e parashikuara në ligj, dhe të bashkëpunimit institucional. Për zbatimin e këtij vendimi, VKM ngarkon njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Në vendim deklarohet se individi ose familja, që nuk e gëzon të drejtën e pronësisë, gëzon të drejtën për risistemim e ristrehim, në përputhje me kriteret, si: siguria, aksesueshmëria, kostoja e përballueshme e banesës, kushtet e banimit, shprehja e identitetit kulturor dhe aksesi në shërbime bazë, kujdesi social, shëndetësor dhe arsimi.
VKM ka përcaktuar edhe procedurën e zhvendosjes, ku deklarohet njësitë e vetëqeverisjes vendore, në aktet që përmbajnë fitimin e pronësisë dhe të të drejtave reale mbi pasuritë e paluajtshme, përfshijnë shprehimisht referimin e identitetit dhe të cilësimit si bashkëpronar të secilit anëtar madhor të familjes dhe/ose të dy bashkëshortëve, në përputhje me Kodin e Familjes dhe ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, në bazë të certifikatës së gjendjes familjare. “Individi ose familja, ndaj të cilit fillon procesi administrativ i zhvendosjes, nuk duhet të mbetet i pastrehë ose të vihet në një situatë që e bën atë vulnerabël ndaj shkeljes së të drejtave të tjera të njeriut. Zhvendosja nuk zbatohet pa siguruar më parë sistemimin me strehim të përshtatshëm të individëve dhe familjeve që zhvendosen dhe nuk përfitojnë shpronësim”. Njësia e vetëqeverisjes vendore garanton dhe ofron një strehim të përshtatshëm alternativ, risistemim në një vend tjetër ose akses në tokë prodhuese, sipas rastit, sa më pranë vendbanimit fillestar e burimit të jetesës së të zhvendosurve”, deklarohet në vendim.
Po ashtu, sipas vendimit, minimalisht, pavarësisht kushteve dhe pa diskriminuar, autoritetet kompetente duhet të garantojnë që personat ose grupet e zhvendosura, veçanërisht ata që kanë të ardhura të ulëta dhe shumë të ulëta, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, fëmijët e gratë shtatzëna të kenë akses të sigurt e të mbrojtur në:
a) ushqim, ujë të pijshëm dhe higjienë bazë;
b) strehim dhe akomodim bazë;
c) veshje të përshtatshme;
ç) shërbime mjekësore bazë;
d) burime jetese;
dh) ushqim për bagëtinë dhe akses në burime të pronës së përbashkët nga të cilat vareshin dikur;
e) arsim për fëmijët dhe ambiente për kujdesin ndaj fëmijëve.
Nga ky vendim të parët që mendohet se do të përfitojnë pritet të jenë familjet që do të zhvendosen nga Astiri për shkak të projektit për Unazën e Madhe. Edhe më parë, Kryetari i Bashkisë Tiranë kishte deklaruar se do të bëhet strehimi i tyre sipas ligjit për shërbimin social, por këshilltarët e djathtë e kishin kundërshtuar duke deklaruar se nuk kishte vendim të Këshillit Bashkiak. Por duket se me këtë vendim, qeveria ka gjetur zgjidhje, jo vetëm për banorët e Astirit, por edhe për të gjitha rastet e tjera, ku qeveria po përdor investime strategjike, por që investuesit kanë hasur në kundërshtimin e banorëve. Gjithsesi, ky vendim u vjen edhe disi në mbrojtje banorëve që zhvendosen, pasi sipas tij nuk mund të bëhet zhvendosja pa u siguruar më parë strehimi dhe të gjitha kushtet e tjera të përmendura VKM.