Viti elektoral, bashkitë “lëshojnë dorën” për lejet e ndërtimit

EKONOMI


Viti elektoral për zgjedhjet vendore ka bërë që bashkitë të jenë më dorëlëshuara për lejet e ndërtimit duke i trefishuar sipërfaqet e dhëna për ndërtim krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që pjesa më e madhe e sipërfaqeve të dhëna për ndërtim i përket Bashkisë së Tiranës, duke qenë edhe bashkia më e madhe në vend.

Në tremujorin e parë 2019, janë miratuar gjithsej 245 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 221 leje të miratuara në tremujorin e parë 2018, duke shënuar një rritje prej 10,9 %. Ndërkohë, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2019, është rreth 581.236 m2, nga rreth 200.944 m2, miratuar në tremujorin e parë 2018, duke shënuar një rritje me rreth 2,9 herë më shumë.

Shifrat zyrtare janë bërë publike nga INSTAT, ku rezulton se nuk janë shtuar vetëm sipërfaqet e dhëna për ndërtim krahasuar, por edhe vlera e parave të përfituara nga lejet, të cilat kanë mbushur buxhetet respektove të bashkive. “Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinerike, në tremujorin e parë 2019, është 25,2 miliardë lekë, nga 10,2 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2018”, deklaron INSTAT, ku sipas përllogaritjeve ky tregues u rrit me rreth 2,5 herë në tremujorin e parë 2019, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Tipologjia e lejeve

Duke u nisur nga tipologjia e lejeve, rezulton se sipas tabelave të INSTAT pjesa më e madhe e lejeve janë dhënë për ndërtime për banim, pikërisht 161 leje, ku mes tyre 28 janë për ndërtesa me tre ose më shumë kate dhe 7 për pallate. Ndërkohë janë dhënë edhe 84 leje për ndërtesa jo rezidenciale, pra për hotele, zyra, ndërtesa industriale dhe tregtare. Por çfarë ndodh. Pavarësisht se lejet në numër janë më shumë për ndërtime për banim, në sipërfaqe ndodh e kundërta. Sipas shifrave, për ndërtesa për banim janë dhënë leje për sipërfaqe rreth 218 mijë metra katrorë, ndërkohë që për ndërtesa për biznes janë dhënë leje për sipërfaqe rreth 363 mijë metra katrorë.

Lejet sipas bashkive

Sa i përket lejeve të lëshuara nga secila bashki, Tirana, duke qenë edhe bashkia më e madhe në vend ka lëshuar 94 leje për tremujorin e parë të vitit 2019, duke e ulur numrin krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2018. Tirana ndiqet nga Durrësi me 26 leje dhe Elbasani e Lezha me nga 24 leje, ku Lezha rezulton se ka lëshuar 2.5 herë më shumë leje se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dibra dhe Kukësi rezultojnë se kanë lëshuar leje më pak këtë tremujor, vetëm nga një leje, ku në të njëjtën periudhë të vitit 2018 nga Bashkia Dibër ishin lëshuar 7 leje të tilla, ndërsa nga Kukësi asnjë leje. Fieri, Vlora dhe Shkodra rezultojnë e kanë ulur numrin e lejeve krahasuar me vitin paraardhës.



Skip to toolbar