Ahmataj largohet, Tirana pa trajner 4 ditë para derbit

AKTUALITET


Humbja e një jave më parë ndaj Kukësit, komplikoi dhe më tepër situatën te Tirana. Skuadra bardheblu, nga pretendente për të fituar kampionatin në fillim të sezonit, tani duket se rrezikon arritjen e një nga tre vendet e para që të çojnë në kupat e europës. Pas humbjes ndaj Kukësit, trajneri Julian Ahmataj nuk ka dalë në stërvitje me ekipin.

Siç raporton Balkanweb, trajneri elbasanas duhet të drejtonte stërvitjen e të hënës, por ai nuk është shfaqur në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”. Ndaj, stërvitja është drejtuar nga trajneri i portierëve, Emanuel Egbo.

Klubi bardheblu nuk ka dalë në asnjë njoftim zyrtar për situatën, por duket se trajneri Ahmataj është larguar përfundimisht nga drejtimi i Tiranës. Por lajmin e largimit e ka dhënë vetë Julian Ahmataj për Balkanweb.

Tashmë pritet konfirmimi zyrtar, njëkohësisht edhe pasuesi i Ahmataj për të drejtuar ekipin në ndeshjen derbi ndaj Partizanit, që do të luhet të premten.

Ahmataj është trajneri i dytë që largohet nga Tirana në pak javë, pasi më herët u largua nga drejtimi i skuadrës Ardi Mema. Emrat e përfolur më herët për të marrë drejtimin e skuadrës janë Gugash Magani dhe Bledar Devolli.



Skip to toolbar