Përballja me Skënderbeun, Ahmataj: Tirana vetëm për fitore

AKTUALITET


Pas përfundimit të ndeshjeve të ekipeve kombëtare, të shtunën rikthehet kampionati i futbollit në vend. Tirana përballet me Skënderbeun, në një sfidë ku të dyja ekipet synim kryesor kanë tre pikët. Në prag të ndeshjes, trajneri Julian Ahmataj foli për mediat, ku tregoi gjendjen e skuadrës.

“Kemi pasur probleme me dëmtimet. Shumë futbollistë kanë qenë pjesë e Kombëtares dhe është stërvitur një pjesë e mirë e grupit. Do të ndihmojnë dhe do të kontribuojnë, pastaj do të shohim se ku jemi sepse asnjëri nga ne nuk pretendon që në pak kohë të ndërtojë një lojë brilante ose një skuadër të fortë. Por, do të japim maksimumin do të jetë e sigurtë. Kemi pasur dhe dëmtime, që disa prej lojtarëve kanë një kontroll të fundit te ortopedi me spitalin ku kemi kontratë”, tha Ahmataj.


Megjithatë, Michael Ngoo nuk është ende në formë të mirë. Julian Ahmataj shprehet se lojtari do të kryejë disa teste të tjera mjekësore, por tregon se nëse ai nuk është në gjendje të mirë, alternativat për sulmin nuk mungojnë.

“Pikërisht për këta lojtarë bëhet fjalë që do të kenë një kontroll mjekësor. Ata kanë pasur dëshirë për t’u stërvitur dhe kanë treguar profesionalitet duke dhënë maksimumin pavarësisht se problemet e tyre shëndetësore kanë qenë evidente. Por, janë munduar të japin maksimumin.  Jo vetëm në këtë situatë, por ne duhet të zgjedhim dhe alternativa të tjera në sulm që mos të jemi të varur nga një lojtar. Pra kemi shumë lojtarë që mund të luajnë shumë mirë në vijën e parë të sulmit”.

Synimi ndaj Skënderbeut është fitorja, ndërsa thotë se nuk do të ketë justifikime për rezultatet e tjera. “Në asnjë ndeshje ne nuk hyjmë për t’u barazuar ose për ta humbur atë. Ne hyjmë në çdo sfidë për ta fituar. Kjo është ajo që ne kemi pasur, ka dhe ka pasur ky klub gjatë gjithë historisë së tij. Nuk ka justifikime për rezultatet. Për rezultatet mbaj vetëm unë përgjegjësi. Futbollistët mbajnë përgjegjësi vetëm për të dhënë maksimumin në fushën e lojës”, tha trajneri i bardhebluve.




Skip to toolbar