Ahmetaj zbulon planin e opozitës: Pas protestave të dhunshme, do ulen përballë Ramës, kryeministër

AKTUALITET


Deputeti socialist, Arben Ahmetaj shprehet i bindur se opozita do të ulet përballë Ramës kryeministër, në tryezën e dialogut, pavarësisht thirrjeve “Rama ik”.

Në një intervistë për News 24, Ahmetaj tha se hapat e opozitës në vijim do të jenë organizimi i protestave deri diku të dhunshme dhe përpjekjeve për mos hapjen e negociatave, por në fund do të ulen në bisedime me Ramën.

Ai e bën këtë deklaratë duke iu referuar edhe bisedave me kolegët nga opozita, për disa prej të cilëve thotë se ka respekt.

“Duke njohur opozitën tonë, nuk mund ta them shumë mirë se kur do të kemi tryezë dialogu. Me një pjesë të mirë prej tyre (opozitarëve) ne bashkëbisedojmë me respekt për njëri -tjetrin. Bazuar në këtë unë mendoj se opozita do tentojë ta ashpërsojë betejën politike me protesta. Mund t’i bëjë ato edhe gjysmë të dhunshme, për të na treguar se ne kemi mundësi ta bëjmë këtë. Ata do ta bëjnë këtë në funksionojnë të mos hapjes së negociatave. Ata do të përpiqen ta bëjnë këtë sepse nuk duan që të hapen negociatat me BE. Por pas asaj ne jemi të bindur se do ketë tryezë dhe në atë tryezë të jeni të bindur edhe ju, se ata (opozita) përballë do të kenë kryeministrin Rama”, deklaroi Ahmetaj.

Deri tani përfaqësuesit e opozitës, përfshirë dhe kreun e PD-së Basha, këmbëngulin në sloganin “Rama ik” dhe në aksionin opozitar që do të vazhdojë gjatë gjithë verës, që synon largimin e Ramës përmes protestave. Por Basha ka treguar edhe më herët se ndryshon qëndrim herë pas herë në varësi të ofertave që i parashtrohen, siç ishte rasti i marrëveshjes së 17 majit dy vite më parë. Kështu që një tërheqje e opozitës nga kërkesa për largimin e Ramës nuk duket si një e pamundur.



Skip to toolbar