Avioni me logon shqiptare Air Albania së shpejti do të nisë fluturimet edhe në destinacione të tjera evropiane përveç Stambollit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Rama, i cili ka shpërndarë edhe një mesazh me superlativa për udhëtimin me Air Albania, dërguar atij nga disa udhëtarë.
Ata shkruajnë se udhëtimi komod me Air Albania i ka bërë ata të ndjehen krenarë që janë shqiptarë.
“I nderuar Z. Kryeminister, unë udhëtoj në gjithë botën, por ishte hera e parë që më rastisi të udhëtoj për në Stamboll me Air Albania. Pasi kisha dëgjuar statuse negative nga “personazhe” të ndryshëm nëpër rrjetet sociale, isha i përgatitur shpirtërisht që mbase në bord nuk do na shërbenin as ujë. Por surpriza ime dhe e gjithë familjes time ishte e madhe që në momentin që hipëm në avion, një Airbus i ri, super komod, me hapësira mes sediljeve, pushuese për këmbët, e gjithfarë komoditetesh, që edhe pasagjerët në klasën ekonomike të udhëtonin sa më mirë! Të mos flasim për shërbimin në bord, ku na u servir ushqim i ngrohtë, i freskët, tepër i shijshëm, i servirur bukur në tabaka. Stjuardesat shumë të sjellshme na flisnin shqip, dhe kudo ishte mbishkrimi “Air Albania”! U ndjemë shumë krenare për këtë gjë në dukje të parëndësishme, por që i shton vlerë vendit tonë të vogël e na bën të ndihemi mirë fakti që edhe një udhëtar i huaj mund të shijojë një udhëtim komod (madje shumë më komod se në shumë linja me emër të madh botëror), – në një avion shqiptar e të thotë: “Bravo Shqipëria!”. E për fat me ne në avion ishte duke udhëtuar edhe i madhi Mr. Rudy Giuliani, e jam i bindur edhe ai ka mbetur i impresionuar nga udhëtimi me linjën ajrore shqiptare! Komplimente Z. Kryeministër, pasi kjo ishte iniciativa juaj dhe e di që ky opinion i sinqertë do t’ju bëjë të ndiheni mirë edhe ju! Ju urojme punë të mbare dhe sa më shumë suksese të tilla! Me respekt, Badush Kajtazi, Xhoana Milloshi dhe Glauk”, shkruhet në mesazhin e shpërndarë nga Rama.