Duke nisur nga e hëna e 30 shtatorit, kompania shqiptare “Air Albania”, nis fluturimet drejt Italisë në tre destinacione. Roma, Milano dhe Bologna janë tre aeroportet italiane, ku do të ulet dhe ngrihet fillimisht avioni i ri i Air Albania, modeli 737 800 i kompanisë Boeing, prodhim i vitit 2016.
Lajmi ishte bërë i ditur prej kohësh nga vetë kompania, e cila së fundi, publikoi dhe disa foto nga garazhi ku gjendet avioni i ri, i cili mban emrin “Migjeni”. Tashmë qytetarët shqiptarë, që udhëtojnë drejt Italisë, por dhe anasjelltas, do të kenë mundësi të udhëtojnë me kompaninë shqiptare të avicionit.
Ndërkohë, Air Albania planifikon që të zgjerojë hapësirën e udhëtimeve drejt Londrës dhe më pas drejt SHBA-së me linjë direkte. Aktualisht, kompania shqiptare ofronte udhëtime nga Tirana në Stamboll dhe anasjelltas.
Çmimet e biletave që ofron “Air Albania” për pasagjerët që do të udhëtojnë drejt Italisë, janë kryesisht çmime tregu.