Albi Xhunga: Fundi i padrinove

Më të fundit


Shoqëria shqiptare është e mbajtur peng. Në tre dekada pluralizëm Shqipëria nuk krijoji dot një shoqëri të vërtetë demokratike, nuk krijoji dot një ekonomi të vërtetë tregu, nuk krijoji dot një shtet të së drejtës, nuk krijoji dot as një minimum morali në jetën politike. 

Monopolizimi i pushtetit politik, me kapje të sistemit në favor të tre forcave kryesore përmes kapjes së procesit elektoral ku numërimi i votës është ekskluzivitet i tyre, nuk lejoi asnjë forcë të re politike të dalë në sipërfaqen e pellgut të qelbur politik shqiptar. 


Kapja e sistemit gjyqësor nëpërmjet varësisë totale të tij nga politika si pasojë e ekskluzivitetit të saj në emërimet e magjistratëve dhe kapja e sistemit mediatik përmes klientelizmit ekonomik, varrosi përfundimisht çdo shpresë të shoqërisë shqiptare për t’u vetëçliruar. Edhe shoqëria civile në shumë raste është blerë, e korruptuar apo e kapur për të mos u bërë dot një përfaqësuese reale e interest publik. 

Shqiptarët kanë votuar të lirë vetëm në zgjedhjet e marsit 1992. Në të gjitha zgjedhjet e mëpasshme shqiptarët nuk votojnë partitë politike, por interesin e tyre të ngushtë. Nuk mund të thuhet se sa votues do të dilnin të votonin këto parti politike nëse nuk do t’u duhej të ruanin vendin e punës apo të synonin një promovim. Nuk mund të thuhet se sa votues do të dilnin të votonin këto parti politike nëse nuk do t’u premtohej një vend pune, një leje ndërtimi, një tender, etj, etj. Militanti partiak që mbështet sinqerisht partinë e tij dhe del e voton pa interes është sot specie në zhdukje. Pjesa tjetër që nuk ka interesa direkte, që është më e iluminuar dhe kryesisht e pavarur ekonomokisht nga politika, nuk del të votojë.

Deux ex machina

Ndërhyrja hyjnore ishte një truk i dramaturgëve të antikitetit grek për të zgjidhur skenat e komplikuara në pjesët e tyre teatrale. Zotat zbrisnin nga Olimpi në skenë dhe jepnin verdiktin e tyre final të pakundërshtueshëm. Për shqiptarët deux ex machina është Amerika.

Kjo shoqëri nuk do të mund të çlirohej kurrë nga pengmarrja pa ndërhyrjen e një autoriteti madhor, ose pa ndonjë revolucion popullor që do ta çonte shoqërinë në pikën zero, e që siç ndodh zakonisht me revolucionet, në vend të një klase politike të kalbur e të korruptuar, do të mund të prodhonte një diktaturë. 

Fati i madh i shqiptarëve është prania e fortë amerikane dhe interesi i tyre që Shqipëria të bëhet. Amerikanët nuk duan thjesht një Shqipëri nën urdhërat dhe shërbimin e tyre. Nëse do të donin vetëm kaq, klasa e korruptuar politike ua ofronte më së miri. Mirëpo në këtë rast Shqipëria ishte e destinuar të mbetej një vend i varfër, i pazhvilluar e i korruptuar në çdo qelizë të shoqërisë. Një aleate e tillë në atë pjesë të globit ku sot përplasen interesat e superfuqive nuk vlen për ndonjë gjë të madhe. Tellallët trutharë të korrupsionit shqiptar na thonë se Amerika nuk do t’ia dijë për kapjen e shoqërisë, korruptimin e çdo pushteti, pasi me politikanë të korruptuar ajo arrin më mirë dhe më lehtë qëllimet e saj, pasi të korruptuarit janë më të bindur. Mirëpo një vështrim mbi vendet e dominuara prej saj na jep sot një panoramë të qartë mbi doktrinën dhe filozofinë amerikane në raport me vendet aleate. Tre janë dominacionet kryesore amerikane pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania Perëndimore, Koreja e Jugut dhe Japonia. Sot këto janë ndër demokracitë më të zhvilluara të globit dhe bashkë me Europën Perëndimore (gjithashtu dominim amerikan i pasluftës) janë baza e qytetërimit perëndimor. 

Drejtësia, si leva e Arkimedit

Të çlirosh një shoqëri për t’i dhënë asaj zhvillim e prosperitet, duhet ta nisësh diku. Në një shoqëri të kalbur nga korrupsioni nuk mund të ketë një levë më të mirë Arkimedi se sistemi i drejtësisë. Drejtësia e pavarur ka fuqinë të çlirojë tregun e kapur nga monopolet. Drejtësia e pavarur mund të rivendosë sistemin e vlerave. Drejtësia e pavarur mund të vendosë në bankën e të akuzuarve përgjegjësit e korrupsionit 30 vjeçar dhe t’u marrë atyre pasuritë për t’ia kthyer popullit të vjedhur. 

Reforma në Drejtësi ka sot një bilanc. Natyrisht nuk është ai bilanc që shqiptarët presin. Por me vetëm 15 prokurorë dhe me mungesën e hetuesve të BKH, ky është megjithatë një bilanc. ‘’Mos vazhdoni propagandën, por shikoni faktet’’- akuzoi haptazi amasadorja amerikane moderatorin e emisionit ku ishte e ftuar mbrëmë (18 maj). Dhe faktet janë: disa qindra të akuzuar, dhjetramilionë euro pasuri e sekuestruar, nisja e sekuestrimit të pasurive për gjytarë të lartë të larguar nga sistemi si të korruptuar, nisja e hetimeve për Gërdecin, nisja e hetimeve për privatizimin gjigand korruptiv të ish klubit Partizani ku është e përfshirë familja e njerit më të pushtetshëm në Shqipëri në këto tre dekada, etj, etj, etj. Me formimin e BKH do të vijë edhe ajo që shqiptarët presin. Vënia para përgjegjësisë e bosëve të vërtetë të korrupsionit në Shqipëri. 

Rënia e Sali Berishës si fillimi i fundit të padrinove

Termi padrino nuk është i tepruar për të definuar 4/5 politikanë që kanë ngritur dhe dominojnë systemin korruptiv shqiptar. Me ‘’ekselenti’’ prej tyre është padyshim Sali Berisha. I akuzuar për dhunim gazetarësh dhe kundërshtarësh politikë, i akuzuar për thyerjen e embargos nda ish Jugosllavisë së Millosheviçit, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Remzi Hoxhës përmes SHIK-ut të kthyer në një celulë mafjoze në shërbim të tij, i akuzuar për vrasjet shtetërore të 21 janarit, i akuzuar për pothuaj shfarosjen e një familjeje kundërshtare në qytetin e tij të origjinës, I akuzuar familjarisht për aferën e Gërdecit, i akuzuar familjarisht për aferën e ish klubit Partizani, etj, etj, etj. 

Amerikanët nuk e shpallën non grata Sali Berishën përpara zgjedhjeve të 25 prillit për të mos ndërhyrë në garë. Mirëpo sot kur partia e tij ka prekur fundin, kjo lëvizje e amerikanëve para zgjedhjeve të 13 qershorit në PD duhet parë edhe në dritën e nevojës së çlirimit të Partisë Demokratike nga Berishizmi. Nëse askush në drejtësinë shqiptare dhe askush në PD nuk ka guxuar t’i drejtojë Sali Berishës gishtin e fajtorit, shpallja e tij non grata nga SHBA ua lehtëson punën të dyja palëve. Drejtësia duhet të bëjë sa më shpejt punën e saj dhe PD-ja duhet të distancohet prej tij nëse nuk do të shihet nga publiku si forcë anti-amerikane. 

Sali Berisha nuk do të jetë i vetëm. Ky nuk është fundi i goditjes së padrinove të korrupsionit shqiptar. Ky është vetëm fillimi i fundit të tyre. 




Skip to toolbar